Werder Bremeni ia vendos çmimin Milot Rashicës


Gazeta Express
3 Dhjetor 2019 13:55

Klubi gjerman, Werder Bremen, nuk dëshiron ta humbë yllin kosovar Milot Rashica për pak para, nëse 23-vjeçari e bën të qartë përfundimisht se ai dëshiron të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.

Werder Bremeni po shpreson se do t’i fitojë 40 deri në 50 milionë euro për Milot Rashicën, nëse anësori kosovar arrin ta gjejë një klub të ri gjatë afatit kalimtar të verës së vitit të ardhshëm, raporton Bild, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, nëse është e mundshme, Werderit do t’i pëlqente ta mbante Rashicën në skuadër, pasi që futbollisti ka kontratë me klubin gjerman deri në vitin 2022.

Bardhegjelbrit e Gjermanisë besohet se janë duke tentuar ta bindin Rashicën të nënshkruajë kontratë të re, mirëpo ende nuk është arritur një marrëveshje mes dy palëve.

Nëse Rashica vendos përfundimisht të largohet nga Weserstadion, ai do të pranonte t’i bashkohej vetëm klubeve që garojnë në Ligën e Kampionëve, pasi që agjenti i tij Altin Lala ka thënë se kjo është ëndrra e tij.

23-vjeçari, i cili i shënoi dy gola në fitoren me rezultat 3:2 kundër Wolfsburgut të dielën, i bëri 11 paraqitje këtë sezon, me tetë gola dhe tre asiste. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart