Wegovy me dozë trefish më të fortë merr miratimin paraprak: Përdoruesit humbin “dukshëm më shumë peshë” - Gazeta Express
string(100) "wegovy-me-doze-trefish-me-te-forte-merr-miratimin-paraprak-perdoruesit-humbin-dukshem-me-shume-peshe"

Shneta tjera

Gazeta Express

13/01/2026 18:29

Wegovy me dozë trefish më të fortë merr miratimin paraprak: Përdoruesit humbin “dukshëm më shumë peshë”

Shneta tjera

Gazeta Express

13/01/2026 18:29

Pacientët në Mbretërinë e Bashkuar pritet së shpejti të kenë akses në injeksione për humbje peshe me dozë trefish më të lartë, pasi autoriteti rregullator i barnave ka dhënë dritën jeshile për përdorimin e tyre.

Agjencia për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (MHRA) njoftoi se doza 7.2 mg e semaglutidit mund të përdoret tashmë si dozë mirëmbajtjeje, me synim ruajtjen ose rritjen e mëtejshme të humbjes në peshë. Aktualisht, Wegovy përshkruhet nga NHS me një dozë maksimale prej 2.4 mg një herë në javë.

Megjithatë, përpara se doza më e fortë të vihet realisht në dispozicion të pacientëve në NHS, ajo duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi nga Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin Klinik (NICE), për të përcaktuar nëse është kosto-efektive. Vetëm pas kësaj mund të jepet miratimi përfundimtar nga drejtuesit e NHS.

Vendimi bazohet në rezultatet e studimit klinik STEP UP, sipas të cilit doza 7.2 mg e semaglutidit çoi mesatarisht në deri 20.7 për qind humbje peshe, kur u përdor së bashku me një dietë të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik.

Rreth një e treta e pjesëmarrësve në studim — të gjithë me indeks të masës trupore (BMI) mbi 30, pra në kategorinë e obezitetit — arritën të humbnin 25 për qind ose më shumë të peshës trupore pas 72 javësh, krahasuar me ata që morën placebo.

Efektet anësore më të shpeshta, të cilat çuan disa pacientë të ndërprisnin trajtimin, ishin çrregullime gastrointestinale si të përziera dhe shqetësime në stomak. Këto shfaqeshin kryesisht gjatë fazës së rritjes graduale të dozës.

Aktualisht, doza 7.2 mg administrohet përmes tre injeksioneve të veçanta. Prodhuesi i barit, kompania Novo Nordisk, ka aplikuar për miratimin e një injeksioni të vetëm që jep të gjithë dozën në një herë, i cili pritet të jetë i disponueshëm më vonë gjatë këtij viti.

Të dhënat klinike nga studimi STEP UP tregojnë se doza më e lartë javore mund të jetë e dobishme për pacientët që kanë “ngrirë” në humbjen e peshës pas përdorimit të dozës 2.4 mg për të paktën katër javë.

“Kjo miratim përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm në mbështetjen që Novo Nordisk u jep personave që jetojnë me obezitet për të arritur humbje peshe domethënëse dhe të qëndrueshme,” deklaroi Sebnem Avsar Tuna, drejtoreshë e përgjithshme e Novo Nordisk në Mbretërinë e Bashkuar.

Studime të mëparshme ndërkombëtare kanë treguar se rritja e dozës në 7.2 mg — trefishi i nivelit aktual të miratuar — sjell humbje peshe dukshëm më të madhe, duke ruajtur profilin e sigurisë.

Sipas studiuesve, kjo “mega-dozë” mund të ofrojë një alternativë të re për pacientët që nuk kanë arritur rezultate të mjaftueshme me trajtimin standard, përfshirë edhe personat me diabet të tipit 2.

Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë entuziastë. Profesori Alex Miras, specialist i obezitetit në Imperial College London, ka shprehur më herët një qasje të kujdesshme ndaj kësaj doze të lartë.

“Trefishimi i dozës sjell vetëm një përfitim shtesë relativisht modest, ndërkohë që rritja e dozës është shumë e madhe,” ka deklaruar ai, duke shtuar se shumë pacientë tashmë e kanë të vështirë të tolerojnë dozën 2.4 mg.

Sipas tij, edhe nëse doza 7.2 mg miratohet plotësisht, përdorimi i saj mund të mbetet i kufizuar për shkak të kostos së lartë dhe efekteve anësore.

Semaglutidi i përket një klase të re barnash të njohura si agonistë të receptorit GLP-1, të cilët imitojnë një hormon të zorrëve për të rregulluar oreksin dhe nivelin e sheqerit në gjak. I shitur si Ozempic për diabetin dhe si Wegovy për menaxhimin e peshës, ky ilaç ka ndryshuar ndjeshëm trajtimin e obezitetit dhe ka nxitur kërkesë të lartë, si dhe debat mbi aksesin.

Në Mbretërinë e Bashkuar, më pak se 200 mijë persona mendohet se i marrin këto injeksione përmes NHS, ndërsa mbi 1.4 milion i përdorin privatisht, sipas të dhënave të think-tank-ut shëndetësor King’s Fund. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement