Weber për Express: Kosova në pozicion më të favorshëm në dialog, s’ia vlente të rrezikohej për targa - Gazeta Express
string(97) "weber-per-express-kosova-ne-pozicion-me-te-favorshem-ne-dialog-sia-vlente-te-rrezikohej-per-targa"

Weber për Express: Kosova në pozicion më të favorshëm në dialog, s’ia vlente të rrezikohej për targa

Lajme

Gazeta Express

24/11/2022 13:24

Pranimi i propozimit franko-gjerman nga ana e Kosovës e ndërrimi i atmosferës politike në Europë ka zvogëluar fuqinë e pozicionit serb dhe ka ngritur atë kosovar para Bashkimit Europian në procesin e tejzgjatur të negociatave. Prandaj, Kosova s’është dashur të dalë nga kjo pozitë e favorshme për një çështje teknike siç janë targat. Weber ka folur për Express një ditë para se të arrihej marrëveshja në Bruksel.

Kjo është pikëpamja e analistit gjerman, Bodo Weber, që njeh mirë raportet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Lexo Edhe:

Në një bisedë me Gazetën Express ai është shprehur kritik edhe ndaj BE-së për mospasje të konsistencës perëndimore ndaj rajonit. Gjithashtu, ai tu tregua dyshues për rezultatin që mund të prodhojë dialogu Kosovë-Serbi nëse ndërmjetësohet nga treshja Lajçak, Borrell dhe Escobar.

Weber e cilësoi si të pazakontë deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili me fajësoi Kosovën për dështimin e arritjes së një marrëveshje për targat ilegale. Sidoqoftë, ai s’e sheh këtë si kërcënim ndaj Kosovës përkundër që Borrell me tone kërcënuese paralajmëroi se për mossuksesin e takimit do t’i njoftojë shtetet anëtare.

“Mendoj se deklarata e pazakontë e Borrellit që e fajësoi publikisht kryeministrin Kurti për dështimin e negociatave jopublike ishte një shprehje e zhgënjimit të thellë dhe tregoi se sa të bllokuara janë negociatat”.

Sot u hoq nga agjenda e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] çështja për liberalizimin e vizave të Kosovës për shkak të situatës në veri të vendit, derisa në opinion u pa si ndëshkim i menjëhershëm nga ana e BE-së. Por, Weber nuk është i mendimit që synimi i BE-së është ndëshkimi.

“Nuk mendoj se fokusi në Bruksel për momentin është ndëshkimi i ndonjë pale, por sjellja e targave në tavolinë, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë, më serioz i situatës në veri të Kosovës”.

Analisti gjerman thotë se kompromisi që synonte BE-ja në takimin e fundit me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq duhej të dështonte.

“Mendoj se performanca e BE-së dhe e gjithë kriza tregon se na mungon një politikë konsistente perëndimore. Gjatë vitit të kaluar, ne kemi parë veprim të njëanshëm të Prishtinës, i cili u shpërblye pjesërisht me kompromisin për regjimin kufitar Kosovë-Serbi, i cili natyrisht ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës në qasjen e saj. Pra, ofrimi i një “zgjidhje kompromisi” për çështjen e targave, në të cilën askush nuk fiton asgjë, pasi Vuçiq i bën serbët e Kosovës që të kthehen në institucione dhe Prishtina pezullon  gjobat, d.m.th. nuk zbaton vendimin e saj të targave, natyrisht që duhej të dështonte. Gjithashtu, që BE-ja dhe SHBA-ja të kërkojnë nga Qeveria Kurti, e cila dihet se ka një mendim dogmatik negativ për Asociacionin, të fillojë themelimin e Asociacionit – kur BE-ja deri më tani nuk ka ofruar zgjidhje për problemin thelbësor, pra kompetencat e Asociacionit – nuk ka ndihmuar në përpjekjen që t’ia mbushë mendjen Prishtinës për kompromis në çështjen e targave”.

A duhet kryeministri Kurti të vazhdojë të ngulë këmbë për zbatimin e vendimit për targat?

“Nga pikëpamja strategjike, nuk jam i sigurt se qasja pa kompromis e kryeministrit Kurti për vendimin e targave është [qasje] e mençur për Kosovën. Pas largimit nga zyra e kancelares gjermane Merkel dhe pas agresionit të Putinit ndaj Ukrainës, mbështetja për Beogradin – Vuçiqin – brenda BE-së është zvogëluar ndjeshëm dhe pozita superiore e Serbisë ndaj Kosovës në dialog është zhdukur. Me kryeministrin Kurti, i cili deklaroi mbështetje të përgjithshme për propozimin gjermano-francez dhe Vuçiqin duke e refuzuar hapur atë, Kosova ishte në një pozitë të mirë. Nuk e shoh të vlefshme që të rrezikohet ky pozicion për çështjen e targave. Veçanërisht, pasi e vetmja mënyrë që Kosova të fitojë sovranitet dhe integritet të plotë territorial është përmes integrimit të serbëve në veri të Kosovës – dhe kjo nuk mund të arrihet me vendime të njëanshme, por vetëm përmes dialogut dhe mbështetjes nga BE-ja dhe SHBA”, thotë Weber për Express.

Në deklaratat kritikuese ndaj Bashkimit Europian, Kurti u ankua se BE-ja hoqi dorë nga vetë propozimi i saj, derisa ai u pa si shtytës me ngulm i këtij propozimi. BE mohoi që ka hequr dorë nga propozimi i quajtur franko-gjerman, ndërsa Weber mendon që situata aktuale ka ndikuar edhe për të.

“Duket se kriza aktuale po i ndërlikon mjaft negociatat për propozimin gjermano-francez sesa që propozimi po e bën më të lehtë zgjidhjen e krizës aktuale”.

Weber mendon që në këtë pikë ka mospërputhje të politikave mes dy instancave të fuqishme botërore – BE-së dhe SHBA-së.

“Siç thashë, kjo krizë aktuale, më e thella që nga vendosja e dialogut politik në vitin 2012, tregon se politika BE-SHBA e viteve të fundit nuk përputhet. Gjithashtu, kam dyshime serioze që lënia e negociatave Lajçakut, Borrellit dhe Escobarit do të funksionojë – në dialog, ne kemi pasë vërtet përparim, kemi zgjidhur kriza serioze, kur zyrtarët e nivelit të lartë nga Berlini, Ëashingtoni dhe kryeqytete të tjera – sot do të mund të ishte Parisi – ishin të angazhuar drejtpërdrejt.