Weber: Nëse BE-ja dëshiron ta riparojë besimin duhet t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave - Gazeta Express
string(87) "weber-nese-be-deshiron-te-riparoje-besimin-duhet-ti-jape-kosoves-liberalizimin-e-vizave"

Weber: Nëse BE-ja dëshiron ta riparojë besimin duhet t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave

Besnik Veliu

01/05/2020 13:25

Bashkimi Evropian është duke provuar të rikthehet dhe ta marrë rolin kryesor në çështjen e negociatave Prishtinë – Beograd, pas një pune intensive disamujore të emisarit të Trumpit, Richard Grenell, që rezultoi me disa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Një involvim i tillë i amerikanëve ka aktivizuar shtetet më të fuqishme të BE-së, të cilat në vitin 2019 drejtonin përpjekjet për kthimin e Prishtinës dhe Beogradit në dialog, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje finale.

Lexo Edhe:

Gjermania e kancelares Angela Merkel dhe Franca e presidentit Macron janë angazhuar që të implementohet marrëveshja për energji mes Prishtinës dhe Beogradit gjë që rezultoi me pavarësimin e Kosovës në fushën e energjisë. Një marrëveshje e tillë ishte nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel, megjithatë nuk ishte respektuar nga Serbia.

Por a do ta shfrytëzojë Bashkimi Evropian politikisht edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, për t’iu revanshuar SHBA-së në procesin e dialogut?

Sipas analistit gjerman, Bodo Weber, çështja e liberalizimit të vizave nuk do të shfrytëzohet politikisht nga BE-ja, por, sipas tij, nëse Brukseli dëshiron të rikthejë kredibilitetin e humbur gjatë dy viteve të fundit, duhet t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave.

“Shpresoj se BE-ja ka mësuar sa duhet nga zhvillimet e javëve dhe muajve të fundit. Përgjegjësia para së gjithash qëndron te Bashkimi Evropian, pas humbjes së besueshmërisë që evoluoi gjatë dy viteve të fundit e që u rëndua nga bllokimi që Macron i bëri Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Po ashtu, hapi i parë për ta riparuar besueshmërinë do të ishte dhënia e liberalizimit të vizave”, ka thënë Weber për Gazetën Express.

Weber thotë se për procesin e liberalizimit të vizave rol kyç kanë Gjermania dhe Franca. Sipas tij, Berlini duhet menjëherë të japë sinjale të qarta që mbështet Kosovën për të arritur më pas te Franca.

“Sikur për çdo gjë tjetër përfshirë edhe dialogun, unë shoh rolin kryesor të Gjermanisë dhe Francës. Berlini duhet menjëherë të japë sinjale të qarta që mbështet Kosovën, për të arritur më pas te Macron. Kjo është mënyra e vetme për të pasur një pajtim te të gjitha shtetet anëtare, qoftë në Samitin e Zagrebit, apo në një moment tjetër të mëvonshëm gjatë këtij viti”, ka shtuar Bodo Weber.

Tutje analisti dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor thotë se ka frikë që shtetet të cilat janë duke e bllokuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën do të shfrytëzojnë situatën e re politike në vend për të argumentuar edhe më shumë kundërshtimin e tyre.

“Megjithëse kam frikë se e gjithë historia për votimin e mosbesimit për qeverinë aktuale në detyrë dhe krijimi i një mazhorance të re, qasja e qartë instrumentale nga aktorët kryesorë politikë në Prishtinë ndaj Kushtetutës së tyre, u jep municion të freskët atyre vendeve anëtare që po bllokojnë liberalizimin e vizave”, thekson Weber.

Weber për Gazetën Express ka folur edhe rreth mundësisë së krijimit të qeverisë së re, dhe rreth asaj se me kë do të punojë kryeministri potencial i LDK-së sa i përket dialogut me Serbinë.

Weber thotë se LDK-ja bashkë me partnerët e koalicionit kanë treguar qartë se me kë do të punojnë sa i përket dialogut kur kanë vendosur ta votojnë mocionin e mosbesimit, mocion të cilin e kundërshtuan Gjermania dhe Franca me një demarsh.

“Lidershipi i LDK-së, kryeministri i caktuar dhe përfaqësuesit e koalicionin e kanë bërë tashmë të qartë, kur publikisht ata shtynë përpara mocionin e mosbesimit dhe e votuan atë” , ka thënë Bodo Weber për Express.

Weber thotë se, megjithatë, LDK-ja pretendon se ka bazë për të punuar së bashku me Grenellin dhe BE-në “pavarësisht faktit se Grenell refuzon çfarëdo bashkëpunimi me Bashkimin Evropian”.

I pyetur nëse pret që të arrihet shpejt një marrëveshje Kosovë – Serbi e drejtuar nga Washingtoni pasi ta marrë LDK-ja pushtetin në Kosovë, Weber thotë se duhet të pritet se çfarë do të ndodhë.

Ai shton se Grenell ka insistuar se s’do të ketë negociata për shkëmbim të territoreve, por thotë se veprimet e tij dhe të Thaçit nuk do të kishin kurrfarë kuptimi nëse vërtet do të bëhej fjalë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

“Unë ende besoj se fuqitë dhe aktorët që përkrahin shkëmbimin e territoreve nuk mund të mbizotërojnë, duke marrë parasysh se kthimi në konceptet etnoterritoriale të viteve ’90-ta do ta kthenin rajonin në kaos dhe në një rajon të rrezikshëm”, ka përfunduar Weber. /Express/