Eksperti gjerman dhe anëtari i “Democratization Policy Council”, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express ka treguar pritjet e tij për vazhdimin e negociatave Kosovë-Serbi, tashmë që në Amerikë do të vendoset një administratë e re që do të drejtohet nga Joe Biden. Ai ka një kërkesë për dy shtetet të nis dialogu, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka muajt e fundit para largimit nga pozita e saj.
Weber ka potencuar se do të duhet një rindërtim i bashkëpunimit Amerikë-Evropë, veçanërisht linjës Washington-Berlin dhe fillim i bisedimeve mbi parime të qarta. Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor në fund ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë dhe për atë se si do të ndikojë rezultati i tyre në vazhdimin e dialogut.
Gazeta Express: A prisni një marrëveshje finale Kosovë-Serbi gjatë këtij viti
Bodo Weber: Nuk e di nëse do të bëhet këtë vit, dhe nuk mendoj që është vërtetë e rëndësishme vendosja e një afati kohor, por ajo që është e rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje e drejtë, dhe që përfundimisht, pas tre vite e gjysmë të negociatave të keq-drejtuara, që shkaktuan dëme në reputacionin e BE’së dhe SHBA’së në Kosovë, Serbi dhe më gjerë, të shkohet drejt një rinisje të negociatave, drejt një finaleje të vërtetë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton dhe garanton një zgjidhje të qëndrueshme. Lidhur me rivendosjen e negociatave, unë shpresoj që do ta shohim këtë vit, në fakt në pjesën e parë të këtij viti.
Gazeta Express: Cilat janë pritjet tuaja nga Administrata e Biden për dialogun Kosovë-Serbi?
Bodo Weber: Unë pres një rindërtim të shpejtë të bashkëpunimit të ngushtë transatlantik në mes të BE’së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që fillon me linjën Uashington-Berlin, dhe që inkorporon gjithashtu të gjithë faktorët tjerë kyç sikur BE’ja e Parisi. Një rivendosje e negociatave që duhet të ndodh në pjesën e parë të 2021-ës, sepse kancelarja gjermane Angela Merkel largohet në fund të këtij viti. Duhet të fillojë me atë se ku vërtet dialogu politik nisë, me mesazhe të qarta nga presidenti Biden dhe Merkel, mbi parimet kryesore pa të cilat nuk mund të ketë negociata, dhe që të gjitha palët duhet ta marrin vesh një gjë: Koha e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe Kosovë ka ikur një herë e përgjithmonë, që Serbia duhet të kthehet në vitin 2013 dhe ta pranojë realitetin që Kosova ka shkuar dhe të rregullojë politikën e saj në përputhje me rrethanat, që një marrëveshje finale është e nevojshme.
Gazeta Express: A mendoni se do të jetë më mirë që Administrata e Biden të emërojë njëjtë sikurse e Trumpit, një të dërguar Special për dialogun Prishtinë-Beograd?
Bodo Weber: Nuk jam i sigurt. Administrata e Trump në një far mënyre pati dy emisarë, me pak ose aspak bashkëpunim. Për mua më e rëndësishme është SHBA dhe BE të jenë në një anë, të çojnë mesazhin e fortë për të mundësuar një rivendosje të negociatave, që këto bisedime duhet të rikthehen në Bruksel, me Washingtonin në të njëjtën dhomë, apo në dhomën ngjitur, siç ishte rasti fillimisht kur dialogu politik dha progres fillestar, historik.
Gazeta Express: Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet dhe a mendoni se vazhdimi i dialogut do të varet nga ajo se kush do t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë?
Bodo Weber: Unë nuk mendoj se rinisja e dialogut varet nga rezultati i zgjedhjeve. Çfarë unë e shoh si të mundshme për të penguar nisjen e negociatave mund të jetë në rast se pas zgjedhjeve të parakohshme partitë dështojnë për të gjetur një zgjedhje për një president të ri. Kërcënimi me serioz për negociatat është ajo për çfarë unë kisha frikë kur filloi ‘faza e re’ e dialogut në 2017-ën me ‘kaos të aktorëve’. Prishtina nuk vepronte si unike në negociata për shkak të përçarjeve dhe antagonizmave ndër-partiak. Kam frikë që ky kaos është përkeqësuar edhe më shumë gjatë tri viteve të fundit, derisa politika e brendshme, por edhe përformanca në dialog e udhëheqësve politik në Kosovë, veçanërisht në vitin 2020, fatkeqësisht ka demonstruar se sistemi politik në Kosovë është thellë i prishur. Në këtë kuptim, unë shpresoj që pas zgjedhjeve parlamentare dhe gjetjes një shumicë për votimin e presidentit të ri, Kosova do të bëjë progres këtë vit në unitet për negociatat me Serbinë dhe në fillimin e rregullimit të sistemit politik. Një rinisje e vërtetë e negociatave, bazuar në principe të qarta dhe një bashkëpunim i ngushtë transatlantik duhet të ndihmojë në të dy çështjet.
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...