Raundi i fundit i bisedimeve mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran për programin bërthamor të Teheranit përfundoi mbrëmjen e sotme në Gjenevë pa një marrëveshje, ndërsa palët mbeten larg në çështje kyçe. Zhvillimi vjen në një kohë kur Uashingtoni po rrit presionin diplomatik dhe ushtarak ndaj Teheranit.
Sipas zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti, përfaqësuesit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kërkuan si kusht bazë shkatërrimin e tre objekteve kryesore bërthamore të Iranit në Fordow, Natanz dhe Isfahan, si dhe dorëzimin e të gjithë uraniumit të pasuruar që ndodhet ende në vend.
Uashingtoni kërkon që çdo marrëveshje e re të ketë karakter të përhershëm dhe të mos përfshijë klauzola skadence, siç ndodhi me marrëveshjen e periudhës së presidentit Barack Obama. Ishte pikërisht Donald Trump ai që gjatë mandatit të parë tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja e njohur si Joint Comprehensive Plan of Action (JCPOA), duke rikthyer sanksione të ashpra ndaj Teheranit.
Nga ana tjetër, Irani ka hedhur poshtë propozimin për transferimin jashtë vendit të rezervave të uraniumit dhe kundërshton ndalimin e pasurimit apo çmontimin e objekteve të tij bërthamore, sipas mediave shtetërore iraniane.
Megjithatë, ministri i Jashtëm i Omanit dhe homologu iranian, Abbas Araghchi, deklaruan se është shënuar progres dhe pritet një raund i ri kontaktesh, ndërsa negociatat teknike do të vijojnë javën e ardhshme në Vjenë.
Kërcënime me veprim ushtarak
Kërkesat amerikane erdhën pak ditë pas fjalimit të Trump në Kongres, ku ai akuzoi Iranin se vijon të synojë armë bërthamore dhe raketa balistike ndërkontinentale – akuza që Teherani i mohon. Presidenti amerikan ka paralajmëruar edhe mundësinë e veprimit ushtarak nëse negociatat dështojnë, ndërsa SHBA ka forcuar praninë ushtarake në rajon.
Irani këmbëngul në të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit, duke propozuar alternativa si ulja e nivelit të pasurimit nga 60% në 1.5%, pezullim të përkohshëm ose menaxhim përmes një konsorciumi të përbashkët brenda territorit iranian.
Në SHBA ka rezerva për një marrëveshje që do të lejonte pasurim të kufizuar. Senatori republikan Lindsey Graham deklaroi se nëse i lejohet Iranit qoftë edhe një nivel minimal pasurimi, “atëherë nuk duhet të ketë marrëveshje”.
Një tjetër pikë përplasjeje mbetet heqja e sanksioneve: SHBA ofron lehtësim të kufizuar, ndërsa Teherani kërkon lehtësim të ndjeshëm për ekonominë e tij të goditur.
Megjithëse Uashingtoni dëshiron të përfshijë në marrëveshje edhe çështjen e raketave balistike dhe mbështetjen iraniane për grupe të armatosura në rajon, bisedimet në Gjenevë u fokusuan kryesisht në parandalimin e pajisjes së Iranit me armë bërthamore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se këmbëngulja e Iranit për të mos diskutuar programin e raketave balistike përbën një problem madhor në negociata. /Panorama
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...