Walker: Masakrën e Reçakut s’mund ta mohojë askush


Gazeta Express
14 Janar 2020 15:29

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili po qëndron në Kosovë në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka thënë se gjenocidi që ka ndodhur në këtë fshat nuk mund të mohohet nga askush.

Walker u quajt ambasador i mbrojtjes të së vërtetës për atë së çfarë ka ndodhur në Reçak.

“Unë nuk jam sot këtu për ta dëshmuar se Reçaku ka ndodhur. Bota e kupton që Reçaku ka ndodhur. Kur njerëzit më pyesin se pse Vuçiq thotë se Reçaku nuk ka ndodhur, unë them se po i dëgjoj fjalët e Millosheviqit edhe një herë. Reçaku ka ndodhur dhe bota ka dëgjuar për këtë masakër”, tha Walker.

Me këtë rast Walker theksoi se masakra që ka ndodhur në Reçak nuk mund të mohohet as nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq e as nga askush tjetër.

Ish-ambasadori i OSBE-së këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Republikanët e Kosovës (REK) të quajtur “Reçaku nuk është gënjeshtër”.

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, duke folur për masakrën e Reçakut dhe gjenocidin në Kosovë tha se duke u mohuar ky gjenocid do të përshkallëzohet marrëdhënia me shteteve deri në luftë.

Mes tjerash ai tregoi se janë rreth katër raste që ata si parti kanë dëshmuar për krimet serbe në Kosovë.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe kryetari i Republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviq, i cili po ashtu kërkoi drejtësi për krimet serbe të ndodhura në Kosovë.

Te fundit


Kthehu lart