VV reagon pasi Specialja hodhi poshtë mocionin e mbrojtjes, e shfrytëzon rastin për t'i sulmuar edhe një herë deputetët që votuan pro saj - Gazeta Express
string(134) "vv-reagon-pas-specialja-hodhi-poshte-mocionin-e-mbrojtjes-e-shfrytezon-rastin-per-ti-sulmuar-edhe-nje-here-deputetet-qe-votuan-pro-saj"

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 15:33

VV reagon pasi Specialja hodhi poshtë mocionin e mbrojtjes, e shfrytëzon rastin për t’i sulmuar edhe një herë deputetët që votuan pro saj

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 15:33

Gjykata Speciale sot ka rrëzuar mocionin e përbashkët të avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i hequr nga aktakuza disa pjesë, përfshirë incidente që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.

Ndaj këtij vendimi të Dhomave të Specializuara ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se “Gjykata speciale po prodhon padrejtësi”.

“Pas pak ditësh bëhen 10 vite nga themelimi me ndryshime kushtetuese dhe ligje të veçanta të Gjykatës Speciale. Katër nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë afër 5 vite në paraburgim. Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes nga Gjykata Speciale është dëshmi e një logjike të përmbysur të drejtësisë, ku vija ndarëse midis çlirimit dhe agresionit zbehet qëllimshëm, ndërsa përpjekja e një populli për liri vihet nën dyshim me mjete juridike. Ky model i drejtësisë selektive nuk bën drejtësi universale, por prodhon një narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari”.

Vetëvendosje, që kishte kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, përsëriti qëndimin e saj sot se ajo është “e themeluar përtej çdo praktike të zakonshme ndërkombëtare” dhe se “ka vepruar si instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës”.

“Në vend që t’i shërbejë të drejtës, ajo i ka shërbyer paragjykimit. Madje duke hetuar dhe gjykuar padrejtësisht vetëm një palë, ajo ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe që është burimi real i gjenocidit dhe krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Me 29 prill dhe 15 maj 2023 Enver Dugolli si i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës i është drejtuar Prokurorit të Prokurorisë Speciale në Hagë me kërkesën për nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Ndonëse Prokurori ka kthyer përgjigje se kërkesa do të shqyrtohet ende sot nuk ka asnjë veprim të njoftuar në këtë drejtim”.

Pas ankesave të fundit që Qeveria në detyrë po hesht për procesin gjyqësor në Hagë, Vetëvendosje sërish përmendi ata që e kanë votuar këtë gjykatë më 2015.

“Sot është sërish moment reflektimi. Ata qeveritarë e deputetë që e miratuan e votuan e ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që e konfirmuan këtë gjykatë në vitin 2015 bartin përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata duhet sot të kërkojnë falje, jo si akt formal, por si shenjë vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që kjo gjykatë i ka shkaktuar vendit, kujtesës sonë kolektive dhe të ardhmes tonë. Ky do të ishte hapi i parë me të cilin duhet nisur një përbashkim për t’u mbrojtur jo vetëm juridikisht por edhe shoqërisht nga rreziku i shtrembërimit të thelbit të luftës sonë”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet e qartë: e mbrojmë luftën çlirimtare si themel të shtetit tonë dhe e kundërshtojmë çdo përpjekje për ta relativizuar të drejtën tonë historike për çlirim. Drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë, as për ta heshtur të vërtetën”.