VV-ja për Express: Albin Kurti i ka shkruar Isa Mustafës - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

06/12/2019 13:36

VV-ja për Express: Albin Kurti i ka shkruar Isa Mustafës

Ballina

Gazeta Express

06/12/2019 13:36

Pavarësisht disa përplasjeve që u panë si fund i diskutimeve për pajtim VV – LDK sa i përket koalicionit, njeriu më i votuar nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, Albin Kurti, po i vazhdon përpjekjet për finalizim të marrëveshjes. Nga partia në të cilën ai udhëheq kanë deklaruar për Gazetën Express se meqë Kurti ndodhet në Gjermani ku po merr pjesë në disa konferenca, ende nuk është caktuar takimi i radhës, por që shtojnë se me sa duket lideri i VV-së ka kontaktuar me Mustafën së fundmi

Kushtet që Lidhja Demokratike e Kosovës i vuri për Vetëvendosjen lidhur me pozitat që do të mbajnë dy partitë që po synojnë udhëheqjen e qeverisë së ardhshme, u komentuan si pamundësi që të dyja këto të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion.

Madje, pati edhe përplasje në distancë në mes të fytyrave kyçe të partive, e që nga e hëna nuk ka pasur takim në nivel të liderëve, ku edhe u tha se do të finalizohet puna e bashkëpunimit.

Derisa partitë u shprehën se nuk do të dorëzohen karshi kushteve që i kanë dhënë, dy liderët, Albin Kurti e Isa Mustafa, po i vazhdojnë përpjekjet për të finalizuar bashkëpunimin, që mund t’i çojë në qeveri për katër vitet e ardhshme.

Edhe pas disa ditëve që kanë shkuar pa marrëveshje, me sa duket lideri i VV-së, ka kontaktuar me Mustafën. Deri më tani dihet se nuk është caktuar ndonjë ditë ku do të shihen të dy këta, pasi që Kurti ndodhet në Gjermani. Kështu kanë konfirmuar gjatë ditës nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Z.Kurti e mban kontaktin me kryetarin e LDK-së. Mund të jemi gabim, sepse z.Kurti ndodhet në Berlin me tri konferenca të ndryshme atje, mirëpo, me sa dimë ne, z.Kurti i ka shkruar së fundi prof. Mustafës”, ka bërë të ditur për Gazetën Express, Arlind Manxhuka nga sekretariati për media.

Kujtojmë që takimi i fundit VV – LDK ishte mbajtur të hënën. Ani pse dy partitë u zotuan se do të nënshkruanin marrëveshjen për koalicion më së largu 72 orë pas certifikimit të rezultateve, hesapet ndryshuan kur u vu në tavolinë të diskutimit edhe pozita e të parit të shtetit, që do të pasojë Hashim Thaçin, post ky të cilin e kërkoi LDK-ja.

Pas disa përplasjeve në distancë, nga LDK-ja kishin deklaruar se i takon VV-së, që ta thërrasë takimin e radhës. /GazetaExpress/