VV-ja i dha pikë pa meritë Enver Bujarit, Ambasada Britanike për Express: Të zgjidhen profesionistët - Gazeta Express
string(97) "vv-ja-i-dha-pike-pa-merite-enver-bujarit-ambasada-britanike-per-express-te-zgjidhen-profesioniste"

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

11/06/2021 17:15

VV-ja i dha pikë pa meritë Enver Bujarit, Ambasada Britanike për Express: Të zgjidhen profesionistët

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

11/06/2021 17:15

Deputetët e LVV-së, pjesë të komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, i kanë dhënë Enver Bujarit më së shumti pikë, si kandidat për komisioner për Informim dhe Privatësi. I njëjti më herët nuk ka arritur të kalojë, kur procesin e ndihmonin ekspertët britanikë. Ambasada Britanike ka dhënë një koment rreth procesit për përzgjedhjen e Komisionerit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Enver Bujari, kandidat për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, mori më së shumti pikë ndër kandidatët tjerë, nga Komisioni që përbëhej nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuesi i minoriteteve etnike joserbe dhe përfaqësuesi i Listës Serbe.

Përzgjedhjen e kandidatëve për komisioner e kanë përcjell shumë organizata dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Ata kanë gjetur se Bujari disa herë e ka ndërruar biografinë e tij dhe vitet e shkollimit dhe punësimit të tij janë ndryshe prej biografive që ai i ka dorëzuar më parë në Kuvend.  

Madje, organizatat e shoqërisë civile, në një reagim të lëshuar, kanë thënë se Bujari më parë nuk është vlerësuar as me pikë kaluese nga ekspertët britanikë, të cilët e ndihmonin procesin e rekrutimit.

Në një përgjigje për Express, nga Ambasada Britanike kanë thënë se është e rëndësishme që në këtë pozitë të emërohet një profesionist i përgatitur dhe që i plotëson kriteret e kërkuara.

“Pozita e Komisionerit është e një rëndësie të veçantë. Është me rëndësi që në këtë pozitë të emërohen profesionistë të përgatitur dhe që i plotësojnë kriteret e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Express.

Më tutje, nga Ambasada po thonë se tanimë janë tërhequr nga procesi për përzgjedhjen e këtij Komisioneri, për shkak se nuk kanë dashur të shpenzojnë fonde dhe resurse për të gjetur kandidat që do të ishte i përshtatshëm për deputetët.

“Ambasada Britanike ka qenë e përfshirë në tri proceset rekrutuese paraprake për Komisioner. Procesi i parë ku kemi qenë të përfshirë në Maj 2019, nuk ka dhënë asnjë kandidate të emërueshëm. Dy proceset tjera, në Korrik 2019 dhe Gusht 2020, kanë dhënë kandidatë që i kanë përmbushur të gjitha kriteret, mirëpo në Kuvend nuk kishte vota të mjaftueshme për emërim. Pas dështimit për emërim, Ambasada Britanike është tërhequr nga procesi i katërt duke mos dëshiruar të shpenzoj fonde dhe resurse për të gjetur kandidat i cili do të duhej të ishte i përshtatshëm për deputetët”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Kritika për mbarëvajtjen e këtij procesi kanë pasur edhe nga shoqëria civile. Mexhide Demolli-Nimane, përfaqësuese nga Lëvizja “Fol”, ka thënë për Express, se ky proces ka kaluar me parregullsi.

Ajo tha se kandidati i vlerësuar më së larti nuk ka performuar më mirë se dy kandidatët e tjerë.

“Procesi i përzgjedhjes së Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi ka kaluar me parregullsi.

Nga monitorimi direkt i intervistave që ne kemi bërë, ne vlerësojmë se kandidati i ranguar më së larti nuk ka performuar më mirë se dy kandidatët tjerë. Z. Bujari ka kandiduar edhe në të gjitha proceset e kaluara, mirëpo ekspertet britanikë të cilët e kishin ndihmuar procesin e rekrutimit në vitin 2019 dhe në 2020 nuk e kishin vlerësuar me poena kaluese dhe nuk e kishin rekomanduar atë për pozitën e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi”, ka thënë ajo.

Demolli në emër të organizatave të shoqërisë civile që kanë monitoruar procesin, ka kërkuar që i njëjti të mos vazhdojë tutje.

“Duke parë të gjitha parregullsitë gjatë këtij procesi, konsiderojmë që ky proces ka qenë jo transparent në zhvillimin e aktiviteteve të tij dhe jo profesional në intervistim, për çka, nuk duhet të vazhdojë tutje. Rekomandimi jonë është që të përsërisin konkursin duke siguruar që transparenca ne vlerësim dhe profesionalizmi të jenë vlerat e procesit të ri”, ka thënë ndër të tjera ajo për Express.

Në ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ka thënë për Express se procesi i emërimit të Komisionerit për Informim dhe Privatësi është përcjellë me probleme dhe me mosbesim të shoqërisë civile.

“Parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit kërkojnë që çdo proces i emërimit të personave në pozita të larta të marrin besimin e publikut se procesi ka qenë transparent dhe që personat e emëruar nuk kanë probleme në aspektin e integritetit personal dhe profesional. Fatkeqësisht, ky proces është përcjellur me shume probleme dhe mos besim të madh të shoqërisë civile lidhur me integritetin e tërë procesit”, ka thënë Miftaraj për Express.

Më tutje, drejtori i IKD-së, theksoi se është për keqardhje, qasja e qeverisë së re me mentalitetin e qeverive të kaluara. Madje ai tha se çdo vendim lidhur me këto procese që nuk e merr besimin e publikut dhe shoqërisë civile, konsiderohet vendim që i shërben grupeve të caktuara.

“Në këtë drejtim, është për keqardhje, praktika dhe qasja e qeverisë së re me mentalitetin e qeverive të kaluara.  Qasje të njëjtë kjo qeveri kishte edhe me miratimin e propozimeve lidhur me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës duke propozuar kandidatë në kundërshtim me ligjin.  Në këtë drejtim, çdo vendim lidhur me këto procese që nuk e merr besimin e publikut dhe shoqërisë civile, do të konsiderohen vendime politike që i shërbejnë grupeve të caktuara dhe assesi sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë”, deklaroi ai.

Përveç shoqërisë civile, këtë konkurs e kanë kundërshtuar edhe nga opozita. Ata shprehën pakënaqësi për mospërfshirjen e tyre në komisionin për vlerësimin e kandidatëve. Madje ata edhe e lëshuan mbledhjen e Komisionit, kur u votua për dërgimin e emrave të të përzgjedhurve në Kuvendin e Kosovës.

 “E vetmja zgjidhje është që procesi të kthehet në pikën e nisjes. E kemi edhe vlerësimin e  shoqërisë civile, por e kemi edhe procesin që është kryer më herët. Një proces që do t’i menaxhojë të gjitha të dhënat tona, të fillojë me një arrogancë të tillë”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike Elmi Reçica.

Kundër zgjedhjes së komisionit, ishin edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Anëtari i komisionit nga LDK-ja, Anton Quni tha se nuk ka kuptim që të qëndrojnë në mbledhje kur ata nuk kanë marrë pjesë në komisionin vlerësues të kandidatëve.

“Kemi të bëjmë me një çështje që nga fillimi kemi qëndrime të ndara. Si rezultat i kësaj tani kemi mospajtueshmëri se kush duhet të deklarohet. Z.Dugolli duhet të kuptoni se unë nuk jam i detyruar që të qëndrojë dhe të dëgjojë raport lidhur me temën për të cilën jam deklaruar që nga fillimi është i kompromentuar”, ka thënë Quni.

Në ndërkohë, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se personi të cilit pozita i ka dhënë pikët maksimale nga Komisioni, nuk është i duhuri për këtë pozicion. Madje ai tha se nuk do ta bënte as rojtar të institucioneve.

“ju vet keni vendos dhe qysh këtu e keni vendosur fituesin për këtë Agjencion që është shumë i rëndësishëm. Është votuar Enver Bujari me pikë maksimale, i njëjti person që unë personalisht e kam notuar me 1-sha dhe 2-sha. Uroj që ky njeri kurrë mos të zgjedhjet kurgjo hiç. Edhe këtë Krenaren e njoh e këtë të tjetrin jo. Por që vjen Enver Bujari e votoni me 10-she e ne krejt e njohim. Kam arsdye edhe besa ndashi me fol naj sen hy edhe ma thellë. Urojë që këso njerëz të mos zgjedhjen kurrë as rojtar të institucioneve e lëre më të udhëheq kësi Agjencioni. Këtu kemi të bëjmë me kapje të shteti. Unë këtë mbledhje e mbylli sot. Une po e mbylli ju vazhdoni mbledhjen e nënshkrimeve”, ka thënë ai.

Kush është Enver Bujari që VV-ja me komunitete i dha më së shumti pikë?

Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje i ka dhënë gjithsej 69 pikë Enver Bujarit, për të qenë Komisioner për Informim dhe Privatësi.

Nga monitorimi i organizatave të shoqërisë civile, kanë dyshime që Bujari ka të falsifikuar CV-në.

“Nga analiza e biografive të të gjithë kandidatëve kemi vërejtur që biografia e dorëzuar në këtë proces nga z. Bujari nuk është e njëjtë me biografitë që ai ka dorëzuar në proceset e mëparshme në disa pika. Sipas biografisë së dorëzuar në vitin 2019 në Kuvendin e Kosovës, z. Bujari kishte deklaruar që ka punuar si shef i njësisë për hetimin e narkotikëve në periudhën 2006-2019, në biografinë e dorëzuar në vitin 2020 ai kishte deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2020 ndërsa në biografinë e dorëzuar në vitin 2021 ai ka deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2019. Po ashtu, në biografitë e dorëzuara ka shpërputhje në datat e studimeve. Sipas biografisë së dorëzuar herën e parë dhe të dytë, ai e ka kryer fakultetin për shkenca politike dhe administratë publike në kolegjin “Fama” për dy vite (2010-2012) ndërsa sipas biografisë së dorëzuar herën e tretë ai ka kryer fakultetin për tri vite në një periudhë tjetër kohore (2007-2010). Poashtu, ai ka ndryshuar tri herë datat në të cilat ka bërë studimet në fushën e inxhinierisë, përfshirë emrin e institucionit arsimor. Ne shprehim shqetësimin tonë që paneli rekrutues nuk i ka verifikuar këto informacione”, kanë deklaruar nga shoqëria civile.

Poashtu Bujari ishte diskualifikuar në konkurset e kaluara, pikërisht nga komisioni që përbëhej edhe nga britanikët.

Si dështoi përzgjedhja e Komisionerit për tri vite rresht?

Kuvendi i Kosovës e ka shpallur për herë të parë konkursin për zgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi me datën 08 prill 2019 dhe ka zgjatur deri me 23 prill 2019. Intervistat janë mbajtur me 04 maj 2019, megjithatë sipas Panelit Përzgjedhës asnjë nga katër kandidatët nuk ka arritur të kualifikohet për t’u përzgjedhur për pozitën e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi nga ana e Kuvendit të Kosovës. Si rezultat i kësaj, konkursi është rishpallur prapë me qëllim të ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes së kandidatëve të tjerë më të kualifikuar, si dhe të ofrimit të mundësisë së dytë për aplikim kandidatëve të kësaj shpalljeje.

Kuvendi i Kosovës e ka shpallur konkursin e dytë të përzgjedhjes së kandidatëve për komisioner me datën 29 maj 2019 dhe ka zgjatur deri me datën 12 qershor 2019.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Lëvizja “Fol”, numri i përgjithshëm i kandidatëve për pozitën e komisionerit ka qenë 20, ndërkaq pas vlerësimit të dokumenteve të paraqitura dhe biografive të tyre, 10 kandidatë janë përzgjedhur në listën e ngushtë për t’u intervistuar nga ana e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa në fazën e intervistave kanë marrë pjesë vetëm shtatë kandidatë, teksa vetëm një nga të gjithë kandidatët ka arritur të shfaqë cilësitë dhe njohuritë e duhura për t’u përzgjedhur si Komisioner i Agjencisë për Informim dhe Privatësi nga ana e Kuvendit të Kosovës. Kësaj radhe Paneli intervistues arriti t’i dërgoj tre emra të kandidatëve në Kuvend për votim, të cilët ishin: Krenare Sogojeva Dërmaku, Agron Behrami dhe Enver Bujari. Ndërkaq, në bazë të vlerësimit nga ana e ekspertëve britanik, sipas tyre Krenare Sogojeva Dërmaku është kandidatja që duhej të votohet nga deputetet e Kuvendit. Ndonëse i shpallur për herë të dytë, Kuvendi i Kosovës përsëri nuk ka arritur ta bëjë përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe atëherë si rezultat i krizave politike në vend, respektivisht për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe i tërë procesi u kthye në pikën zero.

Konkursi për zgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është shpallur për herë të tretë (pas një viti) nga Kuvendi i Kosovës me datën 26 maj 2020 dhe ky konkurs ka zgjatur deri me datën 09 qershor 2020. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për pozitën e komisionerit që kanë aplikuar gjatë këtij konkursi ka qenë 12, ndërkaq pas vlerësimit të dokumenteve të paraqitura dhe biografive të tyre, 6 kandidatë janë përzgjedhur në listën e ngushtë për t’u intervistuar nga ana e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Procesi i intervistimit të kandidatëve ka zgjatur dy ditë, ndërsa nga 5 kandidatët e intervistuar, komisioni vlerësues kishte përzgjedhur kandidatët: Bujar Sadiku, Krenare Sadiku – Sogojeva dhe Muharrem Mustafa si kandidatë potencial për tu emëruar si kryesues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Pas procesit të plotë të përzgjedhjes, projekti i Ambasadës Britanike ka vlerësuar kandidaten Krenare Sogojeva Dermakun me më së shumti pikë.  Mirëpo asnjëri nga këta kandidatë nuk arriti ti marrë votat e nevojshme, prandaj përzgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dështoj për të tretën herë me radhë.

Për dështimin e këtij procesi, përveç reagimeve të organizatave të shoqërisë civile, reagim ka pasur edhe nga Ambasada Britanike, e cila këtë herë kishte dhënë rekomandime për përzgjedhje të kandidatëve. Rrjedhimisht, Ambasada Britanike ka shprehur zhgënjim për dështimin e këtij procesi dhe ka njoftuar se ekspertët britanik janë tërhequr nga procesi i rekrutimit për këtë pozitë.

Në reagimin e Ambasadës Britanike, ndër të tjera, thuhej: “Kemi ndjekur me zhgënjim dështimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të emërojë Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi me 14 gusht. Procesi transparent dhe meritor, i mbështetur nga projekti ynë i rekrutimit, kishte nxjerrë dy kandidatë të përshtatshëm. Mos emërimi i asnjërit prej tyre vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për të zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, por ç’është më e rëndësishmja, dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë dhe shpresat e tyre për të kontribuuar në Institucionet e Kosovës. Çdo emërim publik do të duhej të marr parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak. Dështimi i Kuvendit për të emëruar Komisarin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi do t’i lërë qytetarët kosovarë pa mbrojtje të duhur institucionale të privatësisë dhe të dhënave. Kjo gjithashtu do të çojë në përsëritje të procesit të rekrutimit për herë të katërt dhe do të shkaktojë vonesë në fondet e BE-së për Agjencinë. Procesi i radhës nuk do të mbështetet nga projekti ynë i rekrutimit. Ne nuk do të çojmë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim”.

Në ndërkohë Komisioni për Siguri para dy ditësh  ka votuar që Enver Bujari, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Edon Miftari të dërgohen në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës për votim për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, shkruan Gazeta Express.

Personat që kanë votuar për dërgimin e këtyre emrave ishin anëtarët e VV-së në komision, Enver Dugolli, Arber Rexhaj, Mefail Bajqinovci, Shqipe Mehmeti Selimi, Fatmir Humolli dhe përfaqësuesi i komuniteteve, Erxhan Galushi.

Deputetët pozitarë vlerësuan me më së shumti pikë kandidatin Enver Bujari, përkatësisht me 69 pikë, kandidaten Krenare Sogojeva Dermaku me 63 pikë dhe kandidatin Edon Myftari me 61.5 pikë./Express/