VV-ja fillon fushatën, Kurti: Ka ardhur koha që qeverisja e mirë të shtrihet edhe në komuna - Gazeta Express
string(89) "vv-ja-fillon-fushaten-kurti-ka-ardhur-koha-qe-qeverisja-e-mire-te-shtrihet-edhe-ne-komuna"

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 19:55

VV-ja fillon fushatën, Kurti: Ka ardhur koha që qeverisja e mirë të shtrihet edhe në komuna

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 19:55

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur më 12 shtator zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale. Kryetari i saj, Albin Kurti, nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u bëri thirrje qytetarëve që të besojnë në vizionin e tyre për ta shtrirë modelin e qeverisjes qendrore edhe në nivel komunal.

“Ndryshimi nuk mund të ndalet. Kundërshtarët kanë provuar ta pengojnë, por kanë dështuar dhe do të dështojnë sërish. Jo pse jemi të fortë, por sepse jemi të drejtë; jo pse jemi të ashpër, por sepse jemi të arsyeshëm. Ne duam një Kosovë që zhvillohet me drejtësi dhe funksionon për popullin e vet”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se qytetarët janë lodhur nga “komunat dembele” dhe se tash është momenti për modernizim, mirëqenie, pastërti dhe siguri.

“Paramendoni sa investime të mira do të bëheshin sikur qeverisjet lokale të udhëhiqeshin ashtu si qeverisja qendrore. Duam kryetarë që punojnë ditë e natë, e jo që ankohen orë e çast”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme lokale janë mundësia për ta shtrirë qeverisjen e kujdesshme dhe të drejtë në çdo komunë të Kosovës.

Kurti lavdëroi kryetarët e komunave që janë udhëhequr nga LVV-ja, duke thënë se nuk ka nevojë për të folur për punët e tyre të mira, pasi ato shihen.

“Ne se bashku e kemi shpëtuar Kosovën nga prangat e korrupsionit dhe tendencat për ndarje. Do ta çlirojmë secilën komunë nga hajnia e partive të tjera. Subjekti që zhvillimin nuk e sheh të betoni i vrazhdët por të gjelbërimi. Ne kemi nevojë për kryetarë komunash që bashkëpunojnë me qeverinë. Shikoni arritjet në komunat ku ka drejtuar VV-ja. Prishtina që do të ketë për kryetar një nga ministrat më të suksesshëm që Kosova ka patur ndonjëherë, Hajrullah Çekun”, tha Kurti.

LVV-ja udhëheq në Gjilan, Podujevë, Kamenicë, Shtime, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 tetor.