VV-ja i përgjigjet LDK-së: Ofertën që e bëri sot Veliu, Kurti ia ofroi LDK-së para zgjedhjeve - Gazeta Express
string(86) "vv-i-pergjigjet-ldkse-oferten-qe-e-beri-sot-veliu-kurti-ia-ofroi-ldkse-para-zgjedhjeve"

VV-ja i përgjigjet LDK-së: Ofertën që e bëri sot Veliu, Kurti ia ofroi LDK-së para zgjedhjeve

Arlena Krivenjeva

03/12/2019 15:03

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë sot për Gazetën Express se në takimin e djeshëm ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës ka pasur avancim. Ajo nuk ka komentuar deklaratat e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, për ndërrim rolesh në qeveri.  Por, VV-ja thotë se oferta e Veliut është përsëritje e propozimit të Kurtit, para zgjedhjeve, shkruan Gazeta Express.

Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, sot në një bisedë për Gazetën Express, ka treguar qëndrimet që Isa Mustafa i ka vënë në tavolinë të diskutimit me të parin e Vetëvendosjes.

Lexo Edhe:

Derisa Veliu thotë se LDK-ja i ka propozuar VV-së që të ndërrojnë rolet në rast se nuk pajtohen që t’ua japin atyre kryeparlamentarin, pesë ministri dhe presidentin, në VV thonë se dy palët ia kanë përmendur këto opsione më herët njëra-tjetrës.

Nënkryetarja e VV-së, Fatmire Kollçaku, ka thënë për Gazetën Express se në takimin e djeshëm, megjithatë ka pasur avancim në diskutim në mes të dy partive.

“Marrëveshja nuk është arritë, mirëpo ka pasur avancim në mes të dy partive. Gjithçka që mund të themi më shumë kanë deklaruar kryetarët e dy partive dje pas takimit”, thotë ajo.

Kollçaku tutje, ka thënë që të dy partitë janë për t’i çuar përpara negociatat që të finalizohet koalicioni VV – LDK.

Rreth ofertës së Veliut, në VV shtojnë se ajo është përsëritje e ofertës Albin Kurtit para zgjedhjeve.

“Oferta e Agim Veliut sot është përsëritje e ofertës së kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti për koalicion parazgjedhor. Mirëpo, tash jemi rrethana të tjera kur dihet edhe fituesi”, tha për Express Arlind Manxhuka nga sekretariati për media.

Më i prerë në deklarata ishte sot gjatë ditës nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

 Ai tha se në parti janë marrë vesh që të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre, që janë kryeparlamentari, pesë ministri, si dhe pozita e presidentit, pasi që t’i kalojë mandati Hashim Thaçit.

Këto kërkesa, që dje i lanë pa marrëveshje dy partitë do të merren vesh se a do të plotësohen në takimin e ardhshëm që do të mbahet në nivel të liderëve Kurti – Mustafa. Deri atëherë, si duket kreu i VV-së, do të vendosë për propozimin e të parit të LDK-së.

Dy partitë tashmë kanë siguruar votat e nevojshme për Kuvend të Kosovës, nëse arrijnë të pajtohen. Procesi i zgjedhjes është në dorë të presidentit Hashim Thaçi. /GazetaExpress/