Deputetja e betuar e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila vazhdon të jetë ministre në detyrë e Drejtësisë, tha se partitë ‘opozitare’ po e mbajnë Kuvendin të bllokuar, ndërsa tha se për të është “e rëndësishme” që t’i japë llogari Kuvendit si ministre në detyrë.
“Për bindjen time kjo është një opozitë e çoroditur sepse në vend që të na sfidojnë me pyetje parlamentare, me interpelanca, me debate, me projektligje, këta e mbajnë peng Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për mua si ministre në detyrë është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’i jap llogari Kuvendit të Kosovës sepse ju e dini që me Kushtetutë ne i përgjigjemi Kuvendit, por këta s’po duan që të japim llogari për punët që i bëjmë”.
Haxhiu ka lavdëruar edhe “sukseset” e ministrit në detyrë, Hekuran Murati, i cili sot ishte propozimi i ri i Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Bashkëpartiakja e tij vazhdoi ta lavdëronte Muratin si ministër pavarësisht se partitë tjera kanë qenë të qarta se nuk do të votojnë asnjë deputet të VV-së për kryeparlamentar që shërbeu në qeverinë e Kurtit.
“Këta po e mbajnë peng Kuvendin. Ne patëm një propozim, është një nga ministrat më të suksesshëm. Është Hekuran Murati me mbi 130 mijë vota. Por, as Hekurani s’po i pëlqen opozitës. Le ta dinë të gjithë që propozimi i takon Vetëvendosjes”.
“Edhe sigurimi i shumicës i takon Vetëvendosjes”, i reaguan gazetarët Haxhiut, e cila në përgjigje pretendoi se kanë bërë shumë për ta siguruar atë.
“Kemi pasë përpjekje maksimale, i kemi ftuar në vazhdimësi në takime, por këta s’kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre”./Express/