Vuçiqi, dorë e zgjatur e politikës ruse në Ballkan – diplomatët serbë: Moska e ndihmon edhe në shtypjen e protestave - Gazeta Express
string(110) "vuciqi-dore-e-zgjatur-e-politikes-ruse-ne-ballkan-diplomatet-serbe-moska-ndihmon-edhe-ne-shtypjen-e-protestave"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 10:40

Vuçiqi, dorë e zgjatur e politikës ruse në Ballkan – diplomatët serbë: Moska e ndihmon edhe në shtypjen e protestave

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 10:40

Politika Aleksandar Vuçiqit, është një zgjatim i politikës ruse në Ballkan. Kështu vlerësojnë diplomatët serbë sipas të cilëve Rusia po bën çmos që ta ruaj pushtetin dhe regjimin e presidentit serb. Madje, ata vlerësojnë se ndihma e saj pwr Vuçiqin, shkon deri në sugjerime taktike për shtypjen e protestave dhe protestuesve në Serbi.

Rusia është e gatshme të bëjë gjithçka për të ruajtur në pushtet presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe regjimin e tij, sepse çdo ndryshim në Serbi përfaqëson pasiguri për Moskën. Ky është qëndrimi që reflektohet jo vetëm në deklaratat e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, por edhe në reagimet dhe mesazhet që vijnë nga vetë Kremlini.

Në intervistën e fundit për agjencinë ruse RIA Novosti, ambasadori Harçenko deklaroi se Perëndimi po përpiqet ta zëvendësojë Vuçiqin me një politikan të dobët që do të jetë plotësisht i kontrolluar nga Bashkimi Evropian, madje akuzoi BE-në se po përgatit një “revolucion me ngjyra” në Serbi.

Branka Latinoviq, ish-ambasadore, vlerëson se është shqetësuese që ambasadori rus flet për mundësinë e gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi, gjë që është krejtësisht e papërshtatshme për një diplomat.

“Rusia i konsideron protestat në Serbi si ‘revolucion me ngjyra’ dhe deklaratat e Harçenkos janë një paralajmërim i qartë për protestuesit se Moska nuk do ta lejojë lehtësisht largimin nga pushteti të atyre që janë pro-rusë.”

Srecko Djukiq, diplomat dhe njohës i marrëdhënieve me Rusinë, thekson se Vuçiq ka qenë dhe mbetet njeri i Rusisë.

“Politika e tij është një zgjatim i politikës ruse në Ballkan, pavarësisht nëse kjo i shkon për shtat interesave të Serbisë apo jo.”

Ai shton se Moska e ka nisur procesin e “disiplinimit” të Vuçiqit, veçanërisht pas mosrespektimit të premtimeve lidhur me ndalimin e dërgesave të municionit për Ukrainën.

Ndërsa Dushko Lopandiq, diplomat dhe ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, thekson se Rusia e ka mbështetur publikisht regjimin në Beograd.

“Dhe ndihma e saj shkon deri në sugjerime taktike për shtypjen e protestave, përfshirë ‘bllokimin e qytetit’ dhe ‘kampet paramilitare’.”

Ai thekson se regjimi i Beogradit lejon aq ndikim rus sa i përshtatet vetë atij dhe se modelin autoritar rus e përdor si mjet për të frenuar kërkesat për demokraci.