Vuçiq takon Kallasin në Nju Jork, kërkon më shumë angazhim nga BE për dialogun Kosovë-Serbi - Gazeta Express
string(90) "vuciq-takon-kallasin-ne-nju-jork-kerkon-me-shume-angazhim-nga-be-per-dialogun-kosove-serbi"

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 21:09

Vuçiq takon Kallasin në Nju Jork, kërkon më shumë angazhim nga BE për dialogun Kosovë-Serbi

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 21:09

Ndonëse raportet e ngushta me Rusinë nuk i ka ndalur, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq vazhdon të pretendojë se është një partner “serioz” dhe i “përgjegjshëm” i Bashkimit Evropian.

Këtë e tha gjatë një takimi në Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me Kaja Kalis, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.

Në atë takim Vuçiq nuk e ka lënë pa përmendur Kosovën, duke thënë se i kushton vëmendje të veçantë dialogut.

Madje, ai përmend “sigurinë e serbëve”, në një kontekst të njohur të tij propagandistik, duke aluduar se “serbët në Kosovë po persekutohen”.

“Ne i kushtuam vëmendje të veçantë dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Ritheksova angazhimin tonë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë, si dhe për gjetjen e zgjidhjeve që do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve në planin afatgjatë. Për këtë qëllim, është gjithashtu i nevojshëm një angazhim më i madh i BE-së dhe shteteve të saj anëtare”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka kërkuar intensifikim të dialogut Kosovë-Serbi nga BE, duke shtuar se do të kontribojë në ndërtimin e besimit më të thellë mes Serbisë dhe BE-së.

“Jam i bindur se vazhdimi dhe intensifikimi i dialogut me Bashkimin Evropian do të kontribuojë në ndërtimin e besimit më të thellë dhe forcimin e partneritetit tonë, bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, ka thënë Vuçiq. /Gazeta Express