Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 23 qershor se Serbia “nuk është duke eksportuar” më armë.
I pyetur nga gazetarët nëse Serbia ka zgjedhur anë në konfliktin Izrael–Iran përmes eksportit të municionit drejt Izraelit, Vuçiq tha se shteti “ka pezulluar të gjitha eksportet” dhe se municionin po e dërgon vetëm në kazermat e ushtrisë serbe.
“Ne tani nuk eksportojmë asgjë. I kemi ndalur të gjitha dhe, nëse do të lejohet diçka, duhet të merren vendime të posaçme dhe të veçanta. Pastaj, do të shohim si do të veprojmë, në përputhje me interesat e Serbisë. Organet më të larta shtetërore do të informohen për këtë”, tha Vuçiq.
Pas mbledhjes së kolegjiumit të zgjeruar të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Vuçiq tha se “është një gjë” fakti që Serbia, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, e kishte lejuar eksportin e municionit drejt asaj shteti.
“Por, situata sot është ndryshe. Ne tani i kemi ndalur në mënyrë të plotë të gjitha [eksportet] dhe i dërgojmë vetëm për ushtrinë tonë”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur kritikave për eksportin e armëve, Vuçiq tha se kujdeset për sigurinë e shtetit, por edhe për punëtorët në industrinë e mbrojtjes, ku prodhohet municioni që Serbia më herët e eksportonte jashtë vendit.
Ai shtroi pyetjen se “kush është ai përdorues i lejuar final” për armët dhe pajisjet ushtarake.
“Nuk bënë në Azi, as në Afrikë, as në Evropë, as në Amerikë. Ku doni, në Antarktidë ta eksportojmë municionin?” pyeti Vuçiq me ironi.
“Sepse, e kemi parë që është shfaqur [municioni] në Ukrainë, nga të dyja palët. Të dyja anët ankohen. Dhe, për të ndryshuar diçka, mund vetëm në këtë mënyrë – që të them: të gjithë municionin, për një periudhë, vetëm për kazermat tona”, theksoi ai.
Duke folur për konfliktin Izrael–Iran, Vuçiq tha se Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme.
“Për ne, edhe Izraeli edhe Irani janë vende mike”, shtoi ai.
Vuçiq po ashtu tha se është në kontakt me presidentët e Iranit dhe Izraelit.
Ai theksoi se Serbia dëshiron marrëdhënie sa më të afërta dhe partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara, por vlerësoi se “nuk ka asnjë dyshim se është shkelur e drejta ndërkombëtare” me sulmin ndaj caqeve në Iran.
Izraeli nisi më 13 qershor një sulm ndaj Iranit, duke goditur disa lokacione, përfshirë objekte bërthamore dhe zona të banuara në Teheran, ku u vranë disa komandantë të lartë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), shkencëtarë bërthamorë dhe civilë.
Irani reagoi duke lëshuar dronë dhe raketa balistike drejt qendrave ushtarake dhe bazave ajrore në Izrael.
SHBA u përfshinë në konflikt më 22 qershor. Presidenti Donald Trump njoftoi se bombarduesit amerikanë kishin goditur tri objekte bërthamore iraniane.
Ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se, pas sulmeve amerikane, diplomacia “nuk është më një opsion”.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit, të paktën 430 persona janë vrarë në sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit.
Në Izrael, sipas të dhënave zyrtare, kanë humbur jetën të paktën 24 persona si pasojë e sulmeve iraniane. /REL