Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ditëve të fundit po shqetësohet nga aleanca ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë ka komentuar edhe për FSK’në. Sipas tij, ushtria e Kosovës të cilën ai e quan “Ushtria e Prishtinës”, është më e fortë se ajo maqedonase dhe malazeze, sipas indekseve amerikane.
“Nuk po e them unë, kjo është pikëpamje e tyre, jo e imja”.
Tutje, Vuçiq duke folur për aleancën e Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë ka thënë se ajo është “kërcënimi më i madh” për Serbinë, dhe se “ata duan ta shkatërrojnë Serbinë”.
Vuçiq ndodhet në Indi, ku po merr pjesë në samitin e inteligjencës artificiale. Sipas Kossev ai u takua me Kryeministrin nikoqur – Narendra Modi, Presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe Kryeministrin e fqinjit të Serbisë, Kroacisë, Andrej Plenković.
Kroacia ka nënshkruar një Deklaratë për Bashkëpunim Ushtarak me Shqipërinë dhe Kosovën më 18 mars të vitit të kaluar, rikujton Kossev. Kjo u prit me mosmiratim nga Beogradi zyrtar, i cili vlerësoi se kjo minon stabilitetin rajonal dhe se është një kërcënim dhe provokim i drejtpërdrejtë ndaj Serbisë.
“Ata e formuan dhe e krijuan atë në mënyrë që të prisnin mundësinë për një konflikt midis Evropës dhe Federatës Ruse një ditë, dhe kur kjo të ndodhë, ata mund ta pushtojnë Serbinë nga disa drejtime të ndryshme”, tha Vuçiç dje.
“Kërcënimi më i madh për Republikën e Serbisë është aleanca ushtarake Kroaci-Prishtinë-Tiranë”, tha ai më më 13 shkurt nga Mynihu.
Por, Kossev, duke thumbuar Vuçiqin shkruan se ai ndryshon kur flet me homologun e tij kroat. Toni është shumë më pajtues.
“Sonte fola gjatë me kryeministrin kroat Andrej Plenković, dhe për herë të parë mbi temën e aleancës ushtarake midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Nuk do të ishte e drejtë ta ngrija dhe të thoja gjithçka, por me një fjali mund të them se kryeministri Plenković tha se (aleanca) nuk ishte drejtuar kundër Serbisë. Çdo gjë tjetër që do të thoja do të dilte përtej kornizës qytetëruese dhe sjelljes së mirë, dhe do të shkelte disa rregulla të mirëbesimit dhe bisedës racionale që bëhen në një rast të tillë”, u tha Vuçiç gazetarëve sonte.
“Sa i përket asaj aleance, mendoj të njëjtën gjë që mendova dje dhe pardje, por nga mirësjellja nuk doja të thoja atë që them dhe atë që thashë, sepse nuk është e drejtë…” ka theksuar ai.