Presidenti i Republikës së Kroacisë ka deklaruar dje se “tezat” e Vuçiçit për një sulm kroato-shqiptaro-kosovar ndaj Serbisë janë “të çmendura”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot gjatë një vizite në Bajina Bashtë iu përgjigj deklaratës së presidentit kroat, Zoran Millanoviq.
Duke komentuar mesazhin e Millanoviqit se pretendimet për një plan të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë për të sulmuar Serbinë janë të çmendura, Vuçiqi u kundërpërgjigj duke thënë se Kroacia duhet të ketë kujdes se çfarë po bën, shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”.
“Emri im është Aleksandar Vuçiq dhe jam president krenar i Serbisë. Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, as askush tjetër nuk do të më përcaktojë se çfarë do të them. Ne duam dhe do të kemi paqe me ta dhe marrëdhënie shumë më të mira, edhe pse ndaj meje janë thënë shumë gjëra të rënda”, ka thënë ai.
Vuçiqi ka shtuar se “Serbia ka zgjedhur rrugën e paqes dhe stabilitetit” dhe se për atë se kush do ta udhëheqë vendin do të vendosë populli, e jo dikush tjetër.
“Ju lutem që t’u shtrini dorën të gjithëve kudo, për të treguar se duam një Serbi të bashkuar. Ne ruajmë paqen dhe stabilitetin, forcojmë kapacitetet tona të parandalimit, ndërtojmë Serbinë dhe përparojmë ekonomikisht”, ka thënë Vuçiqi.