Vuçiq ia mbylli derën BE-së, Cvijiq: Ndikimi rus në Serbi nuk është vetëm simbolik, por edhe operativ - Gazeta Express
string(98) "vuciq-ia-mbylli-deren-be-se-cvijiq-ndikimi-rus-ne-serbi-nuk-eshte-vetem-simbolik-por-edhe-operativ"

Lajme

Gazeta Express

18/02/2026 7:25

Vuçiq ia mbylli derën BE-së, Cvijiq: Ndikimi rus në Serbi nuk është vetëm simbolik, por edhe operativ

Lajme

Gazeta Express

18/02/2026 7:25

Vendimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të nënshkruar ndryshimet në ligjet për gjyqësorin, shkaktoi reagime të forta në Bashkimin Evropian dhe riktheu në qendër të debatit të ardhmen evropiane të Serbisë.

Ndërsa autoritetet në Beograd këmbëngulin se janë të përkushtuara ndaj integrimit, analistët paralajmërojnë se veprimet konkrete tregojnë një prirje të kundërt: forcimin e kontrollit politik mbi institucionet dhe dobësimin e standardeve demokratike.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012 dhe ka hapur disa kapituj negociatash.

Çfarë nënshkroi Vuçiq?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkroi më 30 janar dekretet për shpalljen e paketës së ligjeve për gjyqësorin, të cilat Komisioni Evropian i cilësoi si “një hap serioz prapa në procesin e integrimit evropian të vendit”.

Me këtë veprim, ligjet – të miratuara nga shumica qeverisëse në Kuvend më 28 janar – hynë zyrtarisht në fuqi.

Deputetët e pushtetit i mbrojtën ndryshimet, duke argumentuar se ato do të rrisin efikasitetin dhe do të përmirësojnë funksionimin e sistemit gjyqësor.

Megjithatë, ligjet u miratuan pa debat publik dhe pa konsultim me prokurorët, gjyqtarët, Komisionin e Venecias dhe Bashkimin Evropian.

Ato hasën në kritika të ashpra nga komuniteti juridik, i cili paralajmëroi se përmes tyre, pushteti do të përpiqet të rrisë kontrollin mbi gjyqësorin.

Komisioni Evropian vlerësoi se këto ligje “minojnë pavarësinë e gjyqësorit, si dhe autonominë dhe funksionimin e prokurorisë”, dhe i bëri thirrje Beogradit që t’i rishikojë dhe t’i harmonizojë me standardet evropiane “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Dragana Gjurica, sekretare e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, thotë për programin Ura të Radios Evropa e Lirë se autoritetet serbe e kanë pritur reagimin negativ të BE-së, por kanë llogaritur se ai nuk do të ketë pasoja reale.

Sipas saj, përvoja e viteve të fundit ka krijuar bindjen se BE-ja reagon kryesisht me deklarata, por rrallë ndërmerr masa konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë, për shkak të rëndësisë së saj strategjike në rajon.

“Kjo është arsyeja përse nënshkrimi i ndryshimeve ligjore nga Vuçiqi nuk më duket si një llogaritje e gabuar, por më tepër si një rrezik i vetëdijshëm, me pritjen se zhurma do të qetësohet, siç ka ndodhur shumë herë më parë. Megjithatë, nuk besoj se pushteti do të shpëtojë tani pa pasoja”, thotë Gjurica.

Dobësimi i drejtësisë si prioritet politik

Sërgjan Cvijiq, kryetar i Bordit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, shkon edhe më tej në analizën e tij.

Ai argumenton se motivimi kryesor i këtyre ndryshimeve nuk është integrimi evropian, por mbijetesa politike e pushtetit.

Sipas tij, dobësimi i Prokurorisë për Krim të Organizuar mund të jetë një objektiv kyç për autoritetet, pasi hetimet ekzistuese mund të prekin edhe figura të afërta me pushtetin.

Ai shton se kjo është pjesë e një strategjie afatgjate: fillimisht miratohen ligje që dobësojnë institucionet e pavarura dhe më pas, nëse presioni ndërkombëtar bëhet shumë i fortë, ofrohen korrigjime të kufizuara, ndërsa kontrolli real mbetet i paprekur.

“Për Vuçiqin, rruga evropiane është e rëndësishme vetëm për të fituar legjitimitet ndërkombëtar dhe që Bashkimi Evropian të mbetet bankomati i tij. Kur bëhet fjalë për një zgjedhje midis qëndrimit në pushtet dhe standardeve evropiane, ai gjithmonë do të zgjedhë pushtetin”, thotë Cvijiq për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën ditë kur u miratuan ligjet e diskutueshme, Qeveria serbe krijoi edhe një ekip operativ për integrimin evropian.

Për Cvijiqin, kjo nuk është rastësi, por një taktikë e qëllimshme për të ruajtur imazhin e përkushtimit ndaj integrimit evropian.

“Kjo është praktika standarde e Vuçiqit. Me njërën dorë, ai shkatërron institucionet, dhe me tjetrën krijon një lloj fasade administrative”, thotë ai.

“Kjo është sikur t’i vësh flakën një shtëpie, pastaj të formosh një ekip operativ për mbrojtjen nga zjarri dhe të presësh lëvdata. Por, unë nuk mendoj se dikush në Bruksel është më naiv”, shton Cvijiq.

A ka ende ndikim BE-ja?

Një nga pyetjet kryesore është nëse BE-ja është e gatshme t’i përdorë instrumentet e saj për të ndikuar në kursin politik të Serbisë.

Sipas ekspertëve, BE-ja ka në dispozicion mjete të rëndësishme, përfshirë pezullimin e fondeve dhe ngadalësimin ose ndërprerjen e negociatave për anëtarësim.

“Nuk e di nëse Brukseli do të ketë sukses ta detyrojë pushtetin që t’i tërheqë ligjet kontroverse, por besoj se mund ta kërcënojë me ndërprerjen e mbështetjes financiare”, thotë Gjurica.

“… sepse, kandidatët për anëtarësim në BE nuk marrin më para nga fondet evropiane si avanc, siç ka ndodhur më parë, por bazuar në performancë”, sipas saj.

Megjithatë, Cvijiq kujton se BE-ja ka zgjedhur shpesh të tolerojë probleme të tilla për arsye gjeopolitike, veçanërisht për të parandaluar afrimin e Serbisë me Rusinë.

Ai pretendon se ndikimi rus në Serbi nuk është vetëm simbolik, por edhe operativ.

“Ndoshta Bashkimi Evropian do t’i mbyllte sytë ndaj Vuçiqit, nëse ai do t’i vendoste sanksione Rusisë [për shkak të pushtimit të Ukrainës], por ai nuk do ta bëjë këtë për dy arsye kryesore”, thotë Cvijiq.

E para, shpjegon ai, është matematika zgjedhore – votuesit e tij kryesorë janë jashtëzakonisht prorusë dhe ai “nuk do ta bëjë këtë në një vit zgjedhor”.

Arsyeja e dytë është shumë më e thellë, sipas tij, sepse gjatë protestave antiqeveritare gjatë vitit të kaluar, regjimi lejoi një prani të madhe të shërbimeve ruse të sigurisë në terren dhe në hapësirën kibernetike.

Gjurica pajtohet se BE-ja ka toleruar për vite me radhë devijimet demokratike në Serbi, pjesërisht nga frika se Beogradi mund të afrohet më shumë me Rusinë.

Por, ajo thekson se, edhe nëse Serbia do të vendoste të harmonizohej plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, një gjë e tillë nuk do t’i kompensonte mangësitë në sundimin e ligjit.

Sipas saj, mes këtyre dy çështjeve nuk mund të ketë “shkëmbim”, pasi ato përfaqësojnë dy shtylla të ndara të besueshmërisë së një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

“Sanksionet ndaj Rusisë do t’i sillnin Serbisë disa lehtësime politike, por problemi i gjyqësorit do të mbetej testi kryesor. BE-ja e ka bërë të qartë se sundimi i ligjit është testi kryesor për vendet kandidate”, thotë Gjurica.

A e ka gjyqësori forcën për t’i rezistuar zbatimit të ligjit?

“Shumë vështirë”, thotë Cvijiq.

“Regjimi, praktikisht, po u shpall luftë xhepave të pavarur të mbetur në gjyqësor, duke kombinuar ndryshimet ligjore, procedurat disiplinore, transferimin e të papërshtatshmëve dhe emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve besnikë”, sipas tij.

Për Cvijiqin, ky është një presion i vazhdueshëm politik dhe financiar.

“Pa mbështetje të fortë sociale dhe mbrojtje të qartë ndërkombëtare, gjyqësori do të jetë vazhdimisht i ekspozuar ndaj fragmentimit, frikësimit dhe presionit. Nëse mbetet i izoluar, do të shkatërrohet”, thotë Cvijiq.

Ai shpreh bindjen se Vuçiq nuk dëshiron që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, sepse “do që të mbetet në pushtet”.

Sipas tij, sundimi i vërtetë i ligjit do të hapte çështjen e përgjegjësisë politike dhe institucionale jo vetëm për individë të caktuar, por për gjithë sistemin e ndërtuar gjatë viteve të fundit.

Ai argumenton se mënyra aktuale e qeverisjes, mbështetet në kontroll të fortë politik mbi institucionet – gjë që nuk është në përputhje me standardet evropiane, ku kërkohet funksionim i pavarur i drejtësisë dhe institucioneve të tjera.

“Një model i tillë nuk është i përshtatshëm për BE-në. Edhe ata në BE që e mbështesin për arsye pragmatike, e dinë se blloku nuk dëshiron probleme të reja, si kryeministri hungarez, Viktor Orban”, thotë Cvijiq.

Gjurica, në anën tjetër, thotë se autoritarizmi dhe integrimi evropian mund të bashkekzistojnë vetëm për një kohë të caktuar.

“Kjo nuk është e qëndrueshme dhe nuk do të tolerohet jo vetëm nga BE-ja, por as nga qytetarët e Serbisë. Qytetarët e Serbisë dhe të BE-së kërkojnë të njëjtat gjëra – llogaridhënie, drejtësi dhe shtet funksional”, thotë ajo.

A po e largon Vuçiq Serbinë nga rruga drejt BE-së?

Ekspertët janë të qartë: ligjet e reja për gjyqësorin, të cilat kanë nxitur reagime të ashpra nga Brukseli, kanë rritur ndjeshëm barrierat për integrimin evropian të Serbisë.

“Vuçiq ka kohë që ia ka mbyllur derën BE-së për ata që duan ta shohin këtë”, thotë Cvijiq.

Gjurica ndan vlerësim të ngjashëm.

“Edhe nëse dera nuk është mbyllur plotësisht, ajo, padyshim, është afruar”, përfundon Gjurica, sekretare e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement