Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i është bashkuar hapur linjës së Moskës, duke përforcuar narrativën e Kremlinit dhe duke kontribuar në përhapjen e frikës dhe dezinformimit në opinionin publik serb.
Ai ka falënderuar Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) për njoftimin me plot pretendime se Bashkimi Evropian (BE) po përgatit një skenar të ngjashëm me “Majdanin” në Serbi.
Mirënjohja e presidentit serb vjen pasi shërbimi rus akuzoi BE-në dhe vendet anëtare të saj për organizimin e protestave në Serbi, me synimin që në pushtet të sjellin “një udhëheqje të dëgjueshme dhe besnike ndaj Brukselit”.
Partia Demokratike (DS) reagoi ashpër ndaj kësaj ndërhyrjeje të huaj, duke deklaruar se SVR ka ofenduar të rinjtë në Serbi dhe ka dalë hapur në mbrojtje të një pushteti që shkel ligjet dhe mbron korrupsionin.
“Shërbimi rus po mbron vjedhjen, paligjshmërinë dhe përkrah një diktator që i ka ardhur në majë të hundës popullit,” thuhet në reagimin e DS, ku theksohet gjithashtu se akuzat ndaj BE-së janë të pabazuara dhe përfaqësojnë ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të Serbisë.
Sipas DS, qytetarët e Serbisë – dhe sidomos të rinjtë – nuk janë pjesë e ndonjë konspiracioni të jashtëm, por po luftojnë për një jetë më të mirë, për liri, drejtësi dhe kundër diktaturës.
“Nuk ka asnjë plan të jashtëm, asnjë ‘Majdan’ dhe asnjë konspiracion. Ekziston vetëm vullneti i qytetarëve të Serbisë për t’i dhënë fund korrupsionit, vjedhjes dhe diktaturës,” theksohet në deklaratë.
Ndërkohë, SVR në faqen e saj zyrtare ka dezinformuar se “elitat evropiane” planifikojnë të shfrytëzojnë përvjetorin e ngjarjeve tragjike në Novi Sad më 1 nëntor – të cilat ishin shkaktari i protestave – për të destabilizuar vendin dhe për të realizuar një “Majdan serb”.
Agjencia e inteligjencës përgjegjëse për aktivitetet e spiunazhit jashtë Rusisë ka shtuar po ashtu se skenari i provuar dhe i testuar i një “revolucioni me ngjyra” në Serbi nuk po jep rezultatet e pritura dhe se arsyeja kryesore për këtë janë ndjenjat patriotike dhe ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe.