Studentët e Universitetit të Novi Sadit, së bashku me qytetarë të shumtë, protestuan mbrëmë kundër vendimit të gjykatës për të liruar nga paraburgimi tre të pandehurit për rrahjen brutale të një studenteje të Akademisë së Arteve. Protesta u mbajt gjithashtu edhe si akt solidariteti me profesoreshën e Fakultetit Juridik në Beograd, e cila u sulmua fizikisht ditën e djeshme.
Gjatë protestës, të cilën studentët e nisën nga kampusi universitar, ata mbanin një pankartë të madhe me mbishkrimin “Ana, nuk je vetëm”, duke iu referuar studentes së sulmuar. Studentët thërrisnin slogane si: “Nuk do të na shkelni”, “Dilni jashtë”, dhe “Kush nuk kërcen, është me Cacin”, duke protestuar ashpër ndaj dhunës dhe padrejtësisë.
Protestuesit goditën me vezë dhe miell zyrat e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në rrugën Strazhilovska, e më pas edhe në Bulevarin e Çlirimit, ku përfundoi protesta. Në vendngjarje mbërriti menjëherë një kordon i xhandarmërisë që siguroi ndërtesat partiake.
Pjesë e marshit protestues ishin edhe qytetarët dhe motoçiklistët që u bashkuan rrugës. Me zhurmues, bilbila dhe vuvuzela, protestuesit kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Ata kënduan edhe këngën protestuese:
“Le të dëgjohet deri në qiell, nuk ka më SNS, shpall zgjedhjet…”
Protesta u organizua nën sloganin: “Edhe neve na mjaftoi gjaku”, dhe u cilësua si reagim qytetar ndaj dhunës së papërgjegjshme dhe lirimit të personave që konsiderohen të rrezikshëm për shoqërinë.
Në një deklaratë për media, studentët thanë:
“E organizojmë këtë marsh për solidaritet me kolegët tanë nga Beogradi. Po ashtu, dhunuesit që sulmuan Anën janë liruar në arrest shtëpiak, dhe kjo është e papranueshme.”
Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë në Novi Sad për të hequr masën e paraburgimit për tre nga katër të pandehurit – të cilët ishin arrestuar për sulmin ndaj studentëve në janar, që çoi në dorëheqjen e qeverisë së Miloš Vučević – ka shkaktuar pakënaqësi të thellë në opinionin publik. I katërti mbetet në arrest shtëpiak nën mbikëqyrje elektronike, pasi më parë ishte dënuar me kusht për sjellje të dhunshme.
aaaaa