Vriten pesë gazetarë të televizionit “Al Jazeera” nga një sulm izraelit në Gaza - Gazeta Express
string(77) "vriten-pese-gazetare-te-televizionit-al-jazeera-nga-nje-sulm-izraelit-ne-gaza"

Lajme

Gazeta Express

11/08/2025 8:18

Vriten pesë gazetarë të televizionit “Al Jazeera” nga një sulm izraelit në Gaza

Lajme

Gazeta Express

11/08/2025 8:18

Pesë gazetarë të televizionit “Al Jazeera” janë vrarë nga një sulm izraelit afër spitalit “Al Shifa” në Qytetin Gaza, ka thënë ky televizion.

Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, bashkë me kamermanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ndodheshin në një tendë për gazetarë në portën kryesore të spitalit, kur ajo u godit, raportoi televizioni “Al Jazeera”, transmeton televizioni BBC.

Pak pas sulmit, ushtria izraelite konfirmoi se e kishte vënë në shënjestër gazetarin Anas al-Sharfi, duke thënë në rrjetin “Telegram” se ai kishte “shërbyer si udhëheqës i një celule terroriste në Hamas”.

Ushtria izraelite nuk përmendi ndonjërin prej gazetarëve të tjerë që u vranë.

Gjithsej shtatë njerëz u vranë nga ky sulm, raportoi televizioni “Al Jazeera”. Fillimisht, ky medium tha se katër pjesëtarë të stafit të tij ishin vrarë, por më vonë e ngriti numrin në pesë.

Redaktori menaxhues, Mohamed Moawad, i tha televizionit BBC se al-Sharif ishte gazetar i akredituar i cili ishte “zëri i vetëm” që bota të dinte se çfarë po ndodhte në Gaza.

Gjatë tërë luftës, Izraeli nuk e ka lejuar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza që të raportojnë në mënyrë të lirë. Prandaj, mediat mbështeten te gazetarët lokalë brenda enklavës për mbulimin e ngjarjeve.

“Ata u vunë në shënjestër në tendën e tyre, ata nuk ishin duke mbuluar (ngjarje) nga vija e frontit” – tha Moawad-i për sulmin izraelit.

“Fakti është se qeveria izraelite po do që t’ia mbyllë gojën mbulimit të cilitdo kanal për të raportuar nga brendësia e Gazës” – shtoi ai.

Al-Sharif, 28 vjeç, duket se kishte shkruar në rrjetin X disa çaste para vdekjes, duke paralajmëruar për bombardime intensive izraelite brenda Qytetit Gaza. Një postim që u publikua pasi u raportua se ai kishte vdekur dukej se ishte shkruar paraprakisht nga ai dhe ishte publikuar nga një shok.