Për rastin e vdekjes së të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, Oda e Mjekëve të Kosovës do ta hetojë edhe një mjeke. Kryetari i OMK-së, Dr. Pleurat Sejdiu konfirmoi për Gazetën Express se e njëjta do të hetohet mbi dyshimet për deklaratën në kundështim me etikën profesionale dhe mosdhënie të ndihmës në vendin e ngjarjes.
Në përgjigjen dhënë Gazetës Express, ai tha:
“Po është dhënë autorizimi për fillimin e hetimeve dhe atë në dy pista: 1. Deklarata e mjekës që konsiderohet në kundërshtim me etikën profesionale, dhe 2 mosdhënia e ndihmës së parë në vendin e ngjarjes. Për këtë moment nuk mundemi të themi më shumë”, tha Dr.Sejdiu për Gazetën Express.
Lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm Penal ua ka caktuar masën e paraburgimit pesë policëve të dyshuar E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Vrasje nga pakujdesia.