“Vrasja nga pakujdesia” e Agon Zejnullahut nga policët, IML pranon rezultatin e analizave toksikologjike – autopsia mbyllet shpejt - Gazeta Express
string(125) "vrasja-nga-pakujdesia-e-agon-zejnullahut-nga-policet-iml-pranon-rezultatin-e-analizave-toksikologjike-autopsia-mbyllet-shpejt"

Lajme

Gazeta Express

08/10/2025 15:25

“Vrasja nga pakujdesia” e Agon Zejnullahut nga policët, IML pranon rezultatin e analizave toksikologjike – autopsia mbyllet shpejt

Lajme

Gazeta Express

08/10/2025 15:25

Janë bërë më shumë se tre muaj prej vdekjes tragjike të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Pas publikimit të pamjeve u ngritën dyshime se ai u ngufat nga policët që po përpiqeshin ta arrestonin. Për këtë rast pesë policë janë duke u hetuar për vrasje nga pakujdesia. Ndërkaq sot për Gazetën Express ka folur ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML’së, Agron Thaqi. Ai ka thënë se mjeku ligjor përkatës ka pranuar javën e kaluar rezultatet e analizave toksikologjike dhe se raporti i autopsisë do të përfundojë brenda një periudhe të shkurtë.

Arbenitë Brahimi

Në natën e 7 korrikut të këtij viti, policia ka thënë se kanë pranuar informacione se i ndjeri po sulmonte me veturë kalimtarët në Lipjan. Gjatë arrestimit, Zejnullahu vdiq në duart e policëve. Pamjet që u publikuan shtuan dyshimet se bëhet fjalë për ngufatje.

 Për këtë rast tashmë pesë policë po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML’së, Agron Thaqi, ka thënë për Express se rezultatet e analizave toksikologjike i ka pranuar javën e kaluar mjeku ligjor që e ka kryer autopsinë.

“Rezultatet e analizave toksikologjike për të ndjerin Agon Zejnullahu, janë pranuar javën e kaluar nga mjeku ligjor i cili ka kryer autopsinë dhe është përgjegjës për rastin në fjalë.”

Ai ka thënë se brenda një periudhe të shkurtë kohore do të përfundojë raporti i autopsisë dhe i njëjti do t’i dorëzohet prokurorit.

“Raporti i autopsisë ka qenë në pritje të këtyre rezultateve dhe pritet që brenda një periudhe të shkurtër kohore të përfundohet dhe të dërgohet tek prokurori kompetent.”

Thaqi nuk u përgjigj mbi gjetjet e deritanishme, duke thënë se raporti është dokument konfidencial.

“Theksojmë se raporti i autopsisë dhe gjetjet përkatëse përbëjnë dokument konfidencial, në të cilin kanë qasje vetëm mjeku ligjor përgjegjës për rastin dhe prokurori i rastit. Pas përfundimit të raportit, mjeku ligjor e dorëzon atë tek prokurori kompetent sipas legjislacionit në fuqi”, tha Thaqi.

IML pati lëshuar një reagim, një ditë pas rastit, ku thoshte se autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.

Ditën tjetër, IML tregoi se për shkak të renovimeve në objektin e saj disa mostra janë dërguar në Evropë dhe rajon pa përmendur specifikisht rastin e Agon Zejnullahut.

“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, rreth 42 orë pas ngjarjes tragjike, Policia e Kosovës pati dalë me një version më të të ngjarjes. Ata thanë se kanë pranuar informacione që një person po i sulmonte qytetarët, sjellje të cilat janë shfaqur edhe në prani të policëve.

Në njoftim thuhej se i ndjeri ishte jo bashkëpunues dhe se ka tentuar të ikë, mirëpo është arrestuar. Sipas policisë, autoambulanca ka arritur në vendin e ngjarjes 3 minuta pasi e kanë thirrë. Ndër të tjerash, thuhet se te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.

Për rastin, u patën arrestuar pesë zyrtarë policorë nën dyshimet për “Vrasje nga pakujdesia”. Bëhet fjalë për Ibrahim Nelën, Albian Ratkocerin, Artidon Konxhelin, Liridon Rrahmanin dhe Endrit Beqirin.

Fillimisht ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh mirëpo më pas Gjykata e Apelit i liroi ata.

Albani, vëllai i të ndjerit, një ditë më pas tha se përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij janë policët të cilët, siç tha ai, shiheshin mbi të gjatë arrestimit.

“Avokati do të sigurojë një video që nuk u pa deri tash, ku shihet qartë prej momenti të shtrirjes deri në momentin kur (Agoni) fillon me bërtitë: lëshom se ma naltë frymën, i prek, çka jeni tu më ba kështu, i hypi njani një minutë e 30 ca sekonda, ia vendos këmbën në kokë, derisa nuk lëvizë, të tjetër i mëshonin sa munden”- ka thënë ai, duke shtuar se “policët duke parë situatën e kanë lagë me ujë në fytyrë (Agonin), e kanë lidhë me pranga ashtu të vdekur kokën-poshtë dhe e kanë thirrë Emergjencën.”

Ai ka thënë se ka dyshime se ka pas insistime me e fshehë të vërtetën për vdekjen e vëllait të tij. /GazetaExpress/