Zbardhja e ngjarjes së rëndë në Pogradec ku mbeti i vrarë Egli Proga dhe pak orë pas ngjarjes u arrestua autori i saj Denis Meçe ka sjellë përplasje mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Korçës.
Në një njoftim të bërë pasditen e së mërkurës, organi i akuzës njoftoi ndër të tjerash nisjen e hetimeve për një punonjës policie që sipas saj nuk ka kryer procedurat e kërkuara në vendin e ngjarjes.
“Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë “ore ik andej”.
Por në një reagim të kësaj të enjteje, Policia e Ahtetit i hedh poshtë këto pretendime duke deklaruar se punonjësi i policisë, Artur Lilo i takon patrullës së përgjithshme dhe nuk ka për detyrë të hetojë ngjarjen.
“Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit”.
Policia thotë se në këtë mënyrë, efektivi i saj i ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale dhe se nuk ka asnjë lidhje me autorin e dyshuar.
Ajo që dihet tashmë zyrtarisht, e konfirmuar edhe nga policia, është fakti se viktima, në gjendje të dehur, ka shkuar në lokalin ku ndodhi më pas vrasja për të pirë sërish. Megjithëse u raportua se sherri mes Progës dhe Meçes ka ndodhur për shkak të gjobëvënies nga ky i fundit, asnjë dëshmitar dhe asnjë dokument zyrtar nuk e provon këtë. Sipas të dhënave zyrtare, përveç viktimës që ka qenë në gjendje të dehur, edhe autori, siç ka deklaruar edhe vetë, ka qenë edhe ai në gjendje të dehur. Sherri ka nisur mes dy personave në gjendje të dehur, ku viktima pasi i ka dhënë një cigare autorit, ka nisur ta shajë. Të dy më pas kanë dalë jashtë dhe Meçe e ka goditur Progën duke i shkaktuar atij vdekjen. Sipas raportimit, pasi është goditur Proga ka rënë fillimisht mbi një makinë dhe më pas koka e tij ka rënë në toke. Dinamika është përshkruar në materialin zyrtar që policia i ka dërguar Prokurorisë, bashkë edhe me njoftimin që i ka shkuar urgjencës në momentin që është lajmëruar për ngjarjen. Nisur nga kjo kronologji dhe pyetjes së dëshmitarëve, çuditërisht prokuroria ka regjistruar veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, duke e zbutur rrjedhimisht edhe dënimin e tij nëse do të shpallet fajtor. Gjykata nga ana e saj ka lënë në fuqi masën që ka kërkuar prokuroria, çka ka nxitur edhe revoltën e madhe, te familjarët por edhe në rrjetet sociale.