Vrasja e trefishtë në Kaçanik, dëshmitari thotë se asnjëherë nuk ka dëgjuar për arsyet dhe motivet e rastit - Gazeta Express
string(106) "vrasja-e-trefishte-ne-kacanik-deshmitari-thote-se-asnjehere-nuk-ka-degjuar-per-arsyet-dhe-motivet-e-rastit"

Lajme

Gazeta Express

01/02/2023 15:30

Vrasja e trefishtë në Kaçanik, dëshmitari thotë se asnjëherë nuk ka dëgjuar për arsyet dhe motivet e rastit

Lajme

Gazeta Express

01/02/2023 15:30

Në gjykimin ndaj Afet dhe Agron Dalloshi, të akuzuar se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona dhe e kishin lënduar një tjetër, dëshmitari Ibrahim Dalloshi ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar për arsyet dhe motivet e këtij rasti.

“Nuk kam dëgjuar asnjëherë për arsyet dhe motivet e këtij rasti”, ka thënë dëshmitari Ibrahim Dalloshi, duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi.

Lexo Edhe:

Gjithashtu ai deklaroi se rasti i vrasjes së trefishtë në Kaçanik ka qenë shqetësues për të.

“Po, rasti i vrasjes së trefishtë për mua ka qenë shqetësues por, nuk kam dëgjuar diçka konkrete lidhur me këtë vrasje”, tha tutje i njëjti.

Po ashtu, dëshmitari Dalloshi ka thënë se kurrë nuk ka dëgjuar nëse të akuzuarit Dalloshi apo familjarët e tyre të kenë pasur ndonjë problem me tani të dëmtuarit Baftiu.

I njëjti po ashtu tha se asnjëherë nuk ka ndodhur që i ndjeri N.B të paraqes ndonjë problem lidhur me tani të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi.

Sipas tij, para kësaj ngjarje familjet e të akuzuarve kanë shkuar edhe për raste ngushëllimi tek familjet e të dëmtuarve.

“Unë nuk i jam i sigurt, por, besoj se familjarët e tani të akuzuarve Dalloshi kanë qenë në ngushëllime te të dëmtuarit Baftiu për rastin e vrasjes së trefishtë”, ka thënë tutje dëshmitari Dalloshi.

E i pyetur nga prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet se ku ka qenë me datat 27 dhe 28 shtator 2007, duke shtuar se kishte dëgjuar për vrasjen e trefishtë.

“Po unë kam dëgjuar për vrasjen e trefishte, por tani nuk më kujtohet se nga kush dhe si kam dëgjuar për këtë”, deklaroi dëshmitari.

Pas ngjarjes, ai tha se ka ndenjur me Besnik Hasanin e me të akuzuarin Afet Dalloshi, por nuk i kujtohej nëse ka ndenj me ndonjërin nga tani të dëmtuarit.

Për këtë rast, ai pohoi se ka dhënë deklaratë më parë por, përmbajtja e saj nuk i kujtohet.

Ai ka thënë se, Besnik Hasanin e njeh si veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa tani të ndjerin N.B, e ka njohur e me të kishte pirë kafe e kishte ndenj tek stanet në bjeshkë.

Në atë kohë, sipas dëshmitarit Dalloshi Besnik Hasani ka punuar si polic, por nuk ishte në dijeni se me çka ishte marrë i ndjeri N.B.

Tutje, i njëjti deklaroi se prej se Besnik Hasani ka rënë në burg nuk e ka parë më, duke shtuar se nga mjetet e informimit kishte kuptuar se për çka i njëjti ishte burgosur.

Bashkë me Afetin, Besnikun e shumë të tjerë ai tha se kishte ndenjur bashkë si luftëtarë të UÇK-së, e në këto ndenja sipas tij, mund të ketë qenë edhe i akuzuari Agron Dalloshi, dhe tani i ndjeri Nysret Cena.

“Po, në ndejat  me bashkëluftëtaret ka marrë pjesë edhe Xhabir Zharku”, ka deklaruar tutje dëshmitari.

Ai tha se nuk ishte në dijeni nëse N.B ka qenë ushtar i UÇK-së.

Për Shpend Qerimin, dëshmitari tha se mund ta ketë parë ndonjëherë por, nuk i kujtohej nëse ishte takuar me të, ndërsa tani të ndjerin Nysret Cena ka thënë se ka njohur mirë në kohën kur ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së.

Por, se çfarë shoqërie kishin pasur Besnik Hasani e Nysret Cena dëshmitari Dalloshi tha se nuk është në dijeni.

Tutje, dëshmitari Dalloshi pohoi në Burgun e Dubravës e kishte vizituar Afet Dalloshin dhe sipas tij Afeti në paraburgim ka qenë për çështjen e tokës duke shtuar se as nuk i kujtohet që në këtë vizitë të kenë biseduar për asgjësim të armëve.

I njëjti deklaroi se nuk është në dijeni se për çka ka qenë në burg Nysret Cena, por sipas tij, përmes mediave kishte kuptuar se i njëjti ka qenë i akuzuar për vrasjen e trefishtë.

Për tani të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, dëshmitari tha se të njëjtit nuk njihen si persona problematik, por sipas tij, ata kanë qenë punëtorë.

“Jo, tani të akuzuarit nuk njihen si persona problematik, të njëjtit kanë qenë punëtorë, kur kam pasur nevojë Agroni ka punu tek unë. Gjatë luftës që nga fillimi i saj, kanë qenë luftëtarë, e pas luftës prapë i njoh si punëtorë”, ka thënë dëshmitari Dalloshi.

Në fund, gjykatësi Foniqi ka thënë se edhe pse gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me pajtimin e palëve në procedurë është lexuar deklarata e tani të dëmtuari Sadik Baftiu, trupi gjykues prapë e vlerëson si të rëndësishme që i njëjti të dëgjohet lidhur me këtë çështje.

“Dhe me qenë se prania e tij gjatë këtij shqyrtimi gjyqësorë ka qenë e pa mundur, gjykata do t’i marr të gjitha masat që me të njëjtin të lidhemi përmes rrjetit “Skype” dhe ta dëgjojmë lidhur me çështje”, ka thënë tutje gjykatësi Foniqi.

Andaj në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa ajo e radhës u caktua më 13 mars 2023.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.

Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.

Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një femër, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.

Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.

Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i pa lënduar.

Me këtë, të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi akuzohen se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepenc në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.

Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer çdo njëri veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi