Mbrëmë rreth orës 00:50 në Loznicë të Serbisë u vra një polic dhe një tjetër u plagos rëndë derisa po kryenin kontrolle. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë fillimisht tha se i dyshuar për vrasje ishte Artan Hajrizi, 33-vjeçar, nga Kosova. Si prova ata thanë se gjetën në vendngjarje një pasaportë të tij të lëshuar nga Kosova dhe një letërnjoftim të lëshuar nga Gjermania. Për këtë Gazeta Express ka kontaktuar me Zyrën Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA).
Gazeta Express
Policia gjermane në përgjigje ka thënë se nuk mund të komentojnë rastin apo nëse po zhvillohen hetime.
“Kërkoj mirëkuptimin tuaj që BKA në përgjithësi nuk komenton të dhënat personale apo hetimet apo pyetjen nëse janë duke u zhvilluar hetime”, ka thënë një zëdhënës i Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë për Gazetën Express.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se për shkak të gjetjes së letërnjoftimit të lëshuar nga Gjermania “policia serbe ka kontaktuar me kolegët gjermanë dhe po kryhen kontrolle”.
Artan Hajrizi është vëllai i Faton Hajrizit, i cili më 6 korrik iku nga burgu i Smrekonicës në Kosovë. Ai është në kërkim të Policisë së Kosovës.
Pas publikimit të dokumenteve të tij, Artan Hajrizi u deklarua për disa media në Kosovë, duke thënë se ai është në Gjermani dhe nuk ka lidhje me rastin, por se dokumentet e tij ia vodhi i vëllai.
Pasi Artan Hajrizi u shfaq në video, Daçiq më pas theksoi se ende po përcaktohet nëse “dokumentet e gjetura i përkasin të dyshuarit sepse ka dyshime se ai ka përdorur dokumentet personale të vëllait të tij”, duke iu referuar Faton Hajrizirit.
Artan Hajrizi tha se prononcimin e tij e bëri nga një stacion i policisë në Gjermani ku kishte shkuar për të raportuar se i janë vjedhur dokumentet.
Për këtë komentoi ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili tha se Artan Hajrizi ka shkuar sot në ora 11:55 në policinë e Hanoverit ku ka thënë se vëllai i tij (Fatoni) ia ka vjedhë dokumentet.
“Bëhet fjalë për gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë personi është kthyer nga Hanoveri në Preshevë ilegalisht dhe përsëri ka provuar të kthehet ilegalisht në Gjermani”, ka thënë Daçiq.
“Policia e Gjermanisë duhet urgjentisht të përgjigjet se a ka qenë Fatoni në Hanover, si ka hyrë dhe si ka dalë, dhe si është gjendur në Preshevë, pse dhe me çfarë qëllimi. Qëllimi i këtij akti terrorist dhe organizimi është vrasja e policit dhe për këtë presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe EULEX’in, e jo gënjeshtra që askush s’u beson”.
Deri më tani, policia serbe ka thënë se ka arrestuar tre persona në lidhje me këtë rast. Njëri ishte taksisti që dyshohet se e transportoi sulmuesin nga Presheva në Loznicë, ndërsa dy të tjerë u arrestuan në Bijelinë të Bosnjë e Hercegovinës për organizim të transportit të tij.
Ndërkohë, numër i lartë i zyrtarëve policore të Serbisë janë vënë në kërkim të sulmuesit, përfshirë edhe në Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë ku po dyshohet se ka ikur sulmuesi.
Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona. Njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks dhe zyrtarin policor, Vjekosllav Illiq, në shpatull dhe më pas ka ikur.
Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...