Gjykata e Tiranës ka vendosur që të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të të miturit Mario Përllezhaj, mëson gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene.
Ai akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor të vitit të shkuar në afërsi të shkollës “Fan Noli”.
Gjyqtarja Migena Laska ka pranuar kërkesën e prokurorisë për gjykim të dosjes penale. 14-vjeçari Përllezhaj do të gjykohet për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave. Gjykata ka rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga 14-vjeçari.
Në sallë, psikologia Lindita Hoxha është shprehur se është dakord që të vijojë gjykimi i zakonshëm për shqyrtim më të detajuar të çështjes në themel.
14-vjeçari ndodhet në institucionin e Kavajës, ndërsa edhe në muajin dhjetor kundërshtoi masën e dhënë “arrest në burg”. Më 17 dhjetor, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tij.