Vrasja e gjyqtarit në Tiranë, opozita kërkon dorëheqjen e ministres së Brendshme, qeveria e hedh fajin tek gjuha e urrejtjes - Gazeta Express
string(122) "vrasja-e-gjyqtarit-ne-tirane-opozita-kerkon-doreheqjen-e-ministres-se-brendshme-qeveria-e-hedh-fajin-tek-gjuha-e-urrejtjes"

Shqiperi

Gazeta Express

09/10/2025 11:52

Vrasja e gjyqtarit në Tiranë, opozita kërkon dorëheqjen e ministres së Brendshme, qeveria e hedh fajin tek gjuha e urrejtjes

Shqiperi

Gazeta Express

09/10/2025 11:52

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u kthye në një arenë përplasjesh politike pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit më 6 tetor. Ngjarja ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë në vend.

Seanca nisi me një minutë heshtje për nder të gjyqtarit të ndjerë, por menjëherë pas saj, Kuvendi u përfshi nga debatet dhe akuzat politike. Opozita kërkoi me ngulm përgjegjësi dhe dorëheqje nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, duke e akuzuar për dështim të garantimit të sigurisë në sallat e gjyqit.

Seanca duhej të kishte nisur me fjalën ‘dorëheqje’. Është e papranueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit ndërsa lexon një vendim. Ministrja gënjeu publikisht, ndërkohë që KLGJ ka dokumentuar kërkesat për mbështetje nga Policia e Shtetit”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputetja Ina Zhupa, e cila u përplas me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, duke i kërkuar edhe atij dorëheqjen: “Turp që po bëni avokatin e një vrasësi. Kjo është përgjegjësi direkte e juaja dhe e ministres së Brendshme.”

Në mbrojtje të qeverisë, ministrja Albana Koçiu hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se Policia e Shtetit nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë rast, duke ia kthyer akuzën opozitës për nxitje të urrejtjes ndaj drejtësisë.

“Nëse një punonjës i Policisë së Shtetit do të kishte qenë përgjegjës, do të ishte vënë në pranga. Përgjegjësia nuk qëndron tek unë, por tek gjuha linçuese e opozitës që ka krijuar këtë klimë të rrezikshme”, tha Koçiu, duke theksuar se “është e kotë të më tregoni me gisht, nuk më intimidon dot askush.”

Ish-kryeministri Sali Berisha adresoi gjithashtu akuza në drejtim te ministres: “Pas vdekjes së një gjyqtari, qeveria tregon fytyrat e vërteta. Shqiptarët janë të provuar nga mungesa e drejtësisë, drejtësi që çon në vetëgjyqësi.”

Në krah të qeverisë doli edhe deputeti i PS-së, Blendi Klosi, i cili pretendoi se rrënjët e kësaj ngjarjeje tragjike qëndrojnë në “një procedurë korruptive të nisur nga një zyrtar i lartë i PD-së.”

Ngjarja nuk duhet përdorur për të sulmuar Reformën në Drejtësi, e cila ka qenë dhe mbetet një nga arritjet më të mëdha të këtij Kuvendi”, u shpreh Klosi.

Situata kulmoi kur opozita refuzoi të kalonte në rendin e ditës, duke bllokuar seancën dhe detyruar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, të shpallë një pushim 10-minutësh me shpresën se “situata do të rikthehet në normalitet”.

Pjesa tjetër e sallës nuk do të hyjë në rendin e ditës. Për pasojë, propozoj kalimin në votim të 4 pikave të rendit të ditës. Shqyrtimi i mocionit për debat të kalojë në seancën tjetër”, tha kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla.