Vrasja e çiftit në Prizren dyshohet se ndodhi për pronë, prindërit e deklaronin djalin si të sëmurë - Gazeta Express
string(98) "vrasja-e-ciftit-ne-prizren-dyshohet-se-ndodhi-per-prone-prinderit-e-deklaronin-djalin-si-te-semure"

Gentiana Hasani

12/02/2020 13:48

Vrasja e çiftit në Prizren dyshohet se ndodhi për pronë, prindërit e deklaronin djalin si të sëmurë

Gentiana Hasani

12/02/2020 13:48

Para rreth 10 vjetëve çifti Durim e Suada Hadri kishin blerë një shtëpi dykatëshe në Ortakoll të Prizrenit. Ndonëse kishin pasaporta suedeze, ata kishin vendosur që vitet e pleqërisë t’i kalonin në vendlindje. Kohë pas kohe në Prizren i vinin për vizitë tre fëmijët, dy djemtë dhe vajza. Por njëri nga ta, Adriatiku ishte më misterioz. Gjithmonë kur vinte në Kosovë, ai qëndronte i mbyllur në shtëpi. Nuk dilte as në ballkon. Çifti për sjelljet e tij, arsyetohej te fqinjët se është i sëmurë. E pikërisht Adriatiku 35 vjeç po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, që dyshohet se e kreu për motive pronësore.

Gentiana HASANI

Lexo Edhe:

Një fotografi me një mesazh se dy persona kanë ndërruar jetë qëndron e varur në rrethojat e shtëpisë dykatëshe në lagjen e Ortakollëve në Prizren. Dyert e kësaj shtëpie janë të mbyllura, po ashtu edhe roletat e dritareve të saj, të gjitha janë të ulura poshtë, duke u dhënë kështu të kuptohet se aty nuk jeton askush.

Shtëpia ku ndodhi vrasja e çiftit nga Prizreni – Lagjja e Ortakollëve

Në oborrin e kësaj shtëpie në Prizren gjendet edhe një veturë, e cila është e gjitha e mbështjellë me një mbulesë. Ajo i takonte çiftit Hadri, Suadës dhe Durimit, njëri 55 e tjetri 64 vjeç, të cilët kishin kohë që nga Suedia kishin ardhur për të jetuar në Kosovë.

Por fundi i këtij çifti ishte tragjik. Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në mëngjesin e 22 janarit të këtij viti. I dyshuari kryesor për vrasjen po cilësohet djali i tyre, Adriatiku 35 vjeç.

Familja e jep lajmin mortor, te përkujtimi nuk shkruhet emri i djalit që dyshohet për vrasjen çiftit

Çifti kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Dy nga ta ishin të martuar, ndërkohë tjetri, Adriatiku 35 vjeç, ishte i pamartuar. Çifti ndërrimin e moteve e kishte kaluar në Suedi, te fëmijët.

Njoftimi mortor

Por me t’u kthyer në Kosovë, mes tyre dhe djalit nisën problemet.

Gazeta Express gjatë së martës ka qëndruar te shtëpia ku u gjetën të vrarë Suada dhe Durimi. Fqinjët i përshkruajnë ata si persona të qetë dhe gazmor.

“Nuk kemi ndi as krismë e as kurgjo. Krejt familjen e kanë jashtë. Na me ta kemi pi çaj, kafe, për neve gjithmonë kanë qenë të mirë. Nuk kanë folur asnjëherë për ndonjë problem”, thotë njëri nga fqinjët e çiftit.

Ata thonë se dy fëmijët e tjerë të çiftit i kanë parë, por Adriatikun i cili dyshohet se i vrau ata, thonë se asnjëherë nuk e kanë parë.

“Ai djali edhe kur ka ardhë, ne kurrë s’e kemi pa, as nuk e kemi njoftë, as kurrgjo. Rrike brenda, nuk dilte aq. Prindërit e tij thoshin është pak i sëmurë. Këta i kanë tre fëmijë. Djali e çika tjetër janë atje, punojnë atje rregullisht. Këta vinin herë këtu e herë atje. E kanë blerë këtë shtëpinë afër nesh. Pinim kafe shpesh me zonjën e ndjerë”, sqarojnë fqinjët.

Në foto: Suada dhe Durim Hadri

E çifti i ndjerë, planet për të qëndruar në vendlindje i kishin të mëdha. Për këtë punë kishin bërë edhe investime në biznes, duke blerë kështu një tokë për parkingje në qendër të Prizrenit e dy banesa.

E pikërisht prona dyshohet të jetë shkaktari i këtij veprimi që e kreu 35-vjeçari. Por i dyshuari kryesor për këtë vepër, djali i çiftit ende nuk është kapur nga Policia.

“Ai nuk është marrë me punë të mira. Babi i tij ka qenë milioner. E kanë blerë një parking në qendër të Prizrenit. Po thonë se për pronë janë kapur”, deklarojnë fqinjët.

Po rreth këtyre deklaratave nuk është përgjigjur Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Express-it të martën.

Ndërkohë në një përgjigje me shkrim, Prokuroria është deklaruar se rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se është duke grumbulluar informacionet e nevojshme.

Foto: Vetura dhe shtëpia e çiftit

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, Prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar për Gazetën Express, Fitore Mehmeti, zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.

Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H., mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri më tani nuk kanë informacione të reja për vendndodhjen e tij. Ndërkohë në rast tashmë për hetime janë përfshirë edhe autoritetet suedeze.

Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja. /GazetaExpress/