Vrasja e aktivistit konservator amerikan, fjalët e fundit të Charlie Kirk - Gazeta Express
string(72) "vrasja-e-aktivistit-konservator-amerikan-fjalet-e-fundit-te-charlie-kirk"

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 9:24

Vrasja e aktivistit konservator amerikan, fjalët e fundit të Charlie Kirk

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 9:24

Një ngjarje tronditëse ndodhi pasditen e së mërkurës në Universitetin Valley, në qytetin Orem të Utah-s, ku u vra aktivisti i njohur konservator amerikan, Charlie Kirk, 31 vjeç, teksa fliste për çështjen e dhunës me armë në SHBA.

Kirk, i cili ishte ulur nën një tendë, veshur me një bluzë të bardhë me mbishkrimin “Freedom” (Liri) dhe pantallona të errëta, po u përgjigjej pyetjeve nga publiku. Ngjarja tragjike ndodhi kur një pjesëmarrës mori mikrofonin dhe e sfidoi lidhur me masakrat me armë që kanë ndodhur në vend gjatë dekadës së fundit.

“E dini sa persona transgjinorë kanë qenë autorë të masakrave me armë në 10 vitet e fundit?”, pyeti qytetari. Kirk u përgjigj shkurt: “Shumë”, duke shkaktuar reagime të forta nga turma.

Personi e kundërshtoi duke deklaruar se numri ishte vetëm pesë dhe më pas pyeti: “E dini sa autorë gjithsej kanë qenë?”. Kirk i ktheu: “Po numërojmë edhe bandat kriminale?”.

Këto ishin fjalët e fundit të 31-vjeçarit, pasi një plumb e goditi drejtpërdrejt në qafë, duke e rrëzuar nga karrigia, ndërsa gjaku i rridhte nga fyti. Në vend shpërthyen ulërima paniku.

I plagosur rëndë, Kirk u nxorr me urgjencë nga truproja e tij, por nuk arriti të mbijetojë.

Presidenti Donald Trump njoftoi lajmin për vdekjen e Charlie Kirk disa orë më vonë, përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social.

“I Madh dhe tashmë Legjendar, Charlie Kirk është i vdekur. Askush nuk e kuptonte më mirë zemrën e rinisë amerikane sesa ai.”

Edhe nga Shtëpia e Bardhë u lëshua një deklaratë, ku presidenti i SHBA e cilësoi këtë si “një moment të errët për Amerikën”.

Sipas hetimeve paraprake, autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si një vrasje politike, ndërsa dyshojnë se autori ka vepruar i vetëm. Sipas zyrtarëve të sigurisë, plumbi fatal është qëlluar nga maja e ndërtesës Losee Center, rreth 60 metra larg vendit ku ndodhej Kirk.

Në fotot dhe pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një figurinë e zezë shihet në çatinë e ndërtesës përballë skenës ku ndodhej aktivisti, dhe besohet të jetë autori i atentatit.

Siç shihet në foton e mëposhtme, autori ndodhej në ndërtesën majtas, ndërsa Kirk po fliste në zonën e treguar nga shigjeta e bardhë në të djathtë.

Pamjet janë bërë virale në rrjet, ndërsa FBI dhe autoritetet lokale po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin.