Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Krasniqi për vrasjen e F.Z., u dëgjua dëshmitari Beqir Krasniqi i cili deklaroi e gjithë ngjarja ndodhi pasi dy adoleshentë janë përleshur mes vete dhe pastaj kanë ndërhyrë të rriturit.
Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari tha se në ditën kritike në vendin e ngjarjes nuk i ka parë askujt thikë apo mjet të mprehtë. Ai po ashtu shtoi se nuk e ka parë se ku është hedhur mjeti i mprehtë.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Mahmut Halimi, e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në Prokurori.
Për këtë, Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë prezent në momentin kur ka ndodhur përleshja.
Ai shtoi se prokurori ndoshta e ka keqkuptuar, por se ai nuk e ka parë tani të ndjerin kur është rrëzuar.
Pas kësaj deklarate, dëshmitarit iu prezantua deklarata e dhënë në Prokurori, ku kishte thënë “Pas pak ka dalë edhe F., i cili duke ecë në rrugë u rrëzua përtokë, por nuk e kam parë që ka qenë i lënduar sepse ka qenë larg meje 15-20 metra”.
Këtë deklaratë, më pas e konfirmoi dëshmitari se përmbante nënshkrimin e tij.
Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.
Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.
Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.
Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.
Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...