Gazeta austriake “Kleine Zeitung” shkruan se policia ka gjetur një letër lamtumire në shtëpinë e sulmuesit 21-vjeçar, i cili vrau të paktën 10 persona në një shkollë në Graz dhe më pas vrau veten.
Hetuesit gjetën letrën e lamtumirës gjatë kontrollit të shtëpisë së vrasësit, e cila ndodhet në zonën e Grazit, por nuk kanë dashur të zbulojnë përmbajtjen e saktë të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se letra e autorit të masakrës është marrë nga policia, gjithashtu pa dhënë detaje mbi përmbajtjen.
Sipas gazetës Kronen Zeitung, policia e gjeti letrën menjëherë pasdite dhe thuhet se autori kishte shkruar në të se ndihej i bulizuar (malltretuar). Ata gjithashtu shkruajnë se policia edhe sot e konsideron mundësinë që ngacmimi të ketë qenë motivi i sulmit.
BREAKING:
— Visegrád 24 (@visegrad24) June 10, 2025
11 killed in a school schooling in Graz, Austria.
28 wounded, of which 4 are in critical condition.
The perpetrator is a 22-year-old man and former student of the school. pic.twitter.com/eZZxOS5dSQ
Megjithatë, Kleine Zeitung shkruan se ende nuk është konfirmuar nëse në letër përmendet ngacmimi. Sulmuesi kishte ndjekur shkollën ku ndodhi sulmi, por nuk e kishte përfunduar atë.
Policia zbuloi gjithashtu se 21-vjeçari kishte blerë ligjërisht njërën nga dy armët e përdorura në vrasje vetëm disa ditë më parë. Përveç një pistolete Glock, ai kishte përdorur edhe një pushkë.
Gjatë masakrës, ai vrau të paktën 10 persona, një prej të cilëve ishte një vajzë nga Kosova ndërsa plagosi edhe dhjetëra të tjerë. Nëntë persona vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spital. /Telegrafi/