Vranë dy persona në Roskovec, Prokuroria e Fierit çon në gjyq 7 të pandehur - Gazeta Express
string(74) "vrane-dy-persona-ne-roskovec-prokuroria-e-fierit-con-ne-gjyq-7-te-pandehur"

Shqiperi

Gazeta Express

26/09/2025 10:11

Vranë dy persona në Roskovec, Prokuroria e Fierit çon në gjyq 7 të pandehur

Shqiperi

Gazeta Express

26/09/2025 10:11

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rëndë kriminale që tronditi Roskovecin në vitin 2024, ku dy persona mbetën të vrarë me armë zjarri.

 Shtatë persona janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim, ndërsa tre prej tyre përballen me akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese“, në bashkëpunim.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, shtetasit A.K., Er.K. dhe Em.K. akuzohen se kanë bashkëpunuar në vrasjen e G.K. dhe L.K., në një ngjarje të përshkallëzuar nga një konflikt fizik te një akt i rëndë kriminal me armë automatike.

Si ndodhi ngjarja:

Hetimet zbuluan se i pandehuri Er.K. ka pasur një konflikt të mëparshëm me djemtë e njërit prej viktimave, G.K., dhe ka qëlluar me pistoletë ndaj tyre dhe babait të tyre. Më pas, ai është takuar me të pandehurin Em.K., të cilit i ka treguar ngjarjen dhe i ka dorëzuar armën e zjarrit,  një automatik i llojit 56, të cilën e kishte fshehur në një kasolle afër pularisë.

“Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përveç tre autorëve të dyshuar të vrasjes, Prokuroria ka marrë të pandehur edhe katër persona të tjerë për vepra penale të lidhura me ngjarjen: T.Z., për “Përkrahje të autorit të krimit“; Y.K., për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë”; R.H. dhe E.H., të dy për “Moskallëzim krimi“.