Presidenti Begaj voton në Tiranë: Procesi i qetë, i rendësishëm për qytetarët dhe demokracinë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, votoi sot së bashku me bashkëshorten e tij në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.
Pas votimit, Presidenti Begaj iu përgjigj interesit të mediave, duke e vlerësuar procesin si të qetë dhe duke theksuar rëndësinë e tij për qytetarët dhe demokracinë shqiptare.
“Procesi është i qetë. Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë. Kemi hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për herë të parë voton diaspora. Zgjedhjet duhet të përmbushin standarde më të mira,” deklaroi Presidenti Begaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa presion dhe me përgjegjësi, duke theksuar se kjo ditë duhet të jetë një ditë feste për të gjithë.
Presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një administrimi dhe numërimi korrekt të votave, duke theksuar se administratorët zgjedhorë kanë detyrimin ligjor t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve.