Votimi për nënkryetarin serb mban peng konstituimin – Rashiqit i mbetet edhe një shansë, disa të tjerëve u “digjen” mundësitë - Gazeta Express
string(120) "votimi-per-nenkryetarin-serb-mban-peng-konstituimin-rashiqit-i-mbetet-edhe-nje-shanse-disa-te-tjereve-u-digjen-mundesite"

Lajme

Gazeta Express

28/08/2025 14:49

Votimi për nënkryetarin serb mban peng konstituimin – Rashiqit i mbetet edhe një shansë, disa të tjerëve u “digjen” mundësitë

Lajme

Gazeta Express

28/08/2025 14:49

Deputetët u mblodhën sërish sot për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit të Kosovës me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të Kuvendit.

Procesi ka mbetur i bllokuar sërish te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Kryeparlamentari Dimal Basha ka vendosur që të vazhdohet me short për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, ku edhe ka ngecur në gjysmë konstituimi i Kuvendit.

Në sallë në seancën e sotme ishin të pranishëm 107 deputetë. Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në votim. Nënkryetari nga pakicat serbe ka dështuar të zgjidhet edhe sot, duke bërë që seanca të ndërpritet.

Shorti i ra së pari Branislav Nikoliqit. Ai nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.

Pastaj i ra shorti Zlatan Elekut, i cili dështoi tri herë të marrë votat e nevojshme. Stefan Kovaqeviq po ashtu dështoi që në tri votime të marrë shumicën e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.

Në tri votimet dështoi të zgjidhet edhe Branislav Nikoliq.

Votat e mjaftueshme nuk i mori as Sërgjan Povoviq i Listës Serbe e Igor Simiq.  Në vijim shorti i ra Nenad Rashiqit, i cili mori vetëm 55 vota për. Kjo është hera e dytë që Rashiqi nuk votohet për këtë post dhe ka të drejtë të hidhet në votim vetëm edhe një herë.

Kjo bëri që kryetari Basha ta ndërpriste seancën, për vazhdimin e së cilës do të njoftojë më vonë administrata e Kuvendit.

Basha tha se e ndërpreu seancën për t’i thirrur në diskutime partitë e tjera parlamentare për ta votuar Rashiqin.

“Sa për njohurinë tuaj, jeni edhe dëshmitarë, Rashiqi është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Pra, teoria e gjasave që të zgjidhet nga komuniteti serb, gjasat më të mëdha i ka Nenad Rashiq, prandaj unë e mbylli këtë seancë këtu dhe i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiq”, tha ai.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.

Seanca konstituive nisi më 15 prill, dhe deri më tani janë mbajtur 59 vazhdime të saj. /Reporteri