Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që mbështetet nga Beogradi, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga minoriteti serb.
Deputeti i kësaj partie, Igor Simiq, pas seancës së sotme ka dalë në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës ku krahas tij ishin edhe bashkëpartiakët, përfshirë kryetarin e këtij subjekti, Zlatan Elek.
“Dua t’ju paralajmëroj se Lista Srpska do të çojë ankesë në Gjykatë Kushtetuese sepse rregullat janë shkelur. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje deputetëve të partive shqiptare dhe pakicave tjera joshumicë që të mos votojnë për vendime jokushtuese. Krejt kjo do të mbetet e shënuar se çfarë kanë bërë që Nenad Rashiqin me çdo çmim siç e kanë shtyrë në parlament pa votat e serbëve”, tha Simiq.
Lista Srpska ka propozuar deputetin Slavko Simiq për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, post i cili është i garantuar me Kushtetutë për këtë komunitet.
Ai s’mori mbështetjen e nevojshme në tri herë radhazi dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se kandidatura e tij është ezauruar sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Lista Srpska e kundërshtoi Bashën duke thënë se kjo vlen vetëm për postin e nënkryetarit dhe s’u pajtua me mënyrën e votimit që e caktoi më pas Basha – atë të zgjedhjes së nënkryetarit me short, duke refuzuar më pas të marrë pjesë në votim edhe kur në votim dolën deputetët e partisë.
Simiq tha se shorti është jokushtetues dhe se “nuk kemi dashur të marrim pjesë”.
“Momentin kur është votuar nënkryetari i pakicave jo shumicë po ashtu është shkelur Kushtetuta, kurrë nuk është ndarë votimi, gjithmonë ka qenë në paketë. Pra, është shkelur kushtetuta”./Express/