I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.
Ai tha se po përpiqen që me energjinë dhe burimet energjetike të SHBA’së t’i mbështesin partnerët dhe aleatët në mbarë botën, duke u dhënë atyre “mundësi më të mira dhe qasje më të madhe në diversifikimin energjetik dhe sigurinë energjetike”.
Disa nisma të fundit – të mbështetura nga SHBA-ja në fushën e energjisë – janë shpallur ose diskutuar me Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Por, ku qëndron Kosova?
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai u pyet për mungesën e instrastrukturës së gazit natyror në Kosovë dhe se ajo s’është drejtpërdrejt pjesë e këtyre iniciativave.
Volz tha se Kosova është një partnere dhe aleate shumë e rëndësishme, ndërsa potencoi që Shtetet e Bashkuara ishin të parat që e njohën pavarësinë e Kosovës.
“Ne po vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej marrëdhënien tonë me partnerët në Prishtinë, dhe mundësitë ekonomike atje janë të konsiderueshme”.
Sa i përket energjisë, ai tha se Kosova është “padyshim një treg i gatshëm për investime, i mbushur me mundësi dhe në nevojë për modernizim”.
Megjithatë, ai e potencon se është urgjente që Kosova të modernizojë sistemin energjetik.
“Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet një mundësi të madhe për industrinë dhe teknologjinë amerikane që të hyjnë, ta modernizojnë atë, të rrisin prodhimin dhe efikasitetin e tij dhe, në këtë mënyrë, të ndihmojnë në nxitjen e rritjes ekonomike në Kosovë”.
Ndërkaq, për tërheqjen e investimeve më të mëdha, ai thotë se nga Kosova “duhet të krijohen më shumë nxitje për investimet e sektorit privat amerikan dhe për financimet ndërkombëtare që të hyjnë në Kosovë. Këto janë çështje me të cilat po merren shumë seriozisht kolegët e mi në Departamentin e Tregtisë, Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Shtetit”./Express/