Gjatë ditës së djeshme Volkswagen ka njoftuar se po fillon testimin e drejtimit autonom në SHBA, duke përdorur një flotë të veturave ID. Buzz të cilat janë pajisur me teknologji speciale të zhvilluar në bashkëpunim me Mobileye. Kjo teknologji përfshinë kamerat, radarin dhe lidarin.
Testimet do të zhvillohen në Austin të Teksasit duke filluar nga ky muaj. Fillimisht do të përdoret një flotë e 10 furgonave elektrik ID. Buzz, me plan të rritjes së shifrave së pari në Austinm e pastaj në zgjerimin e testimeve edhe në të paktën 4 qytete të tjera në SHBA gjatë 3 viteve të ardhshme.
Në Austin, flota e veturave testuese do të përdoret për mbledhjen e të dhënave përmes kilometrave të kaluara në shumë skenarë drejtimi. Në të gjitha veturat do të ketë drejtues të cilët do t’i mbikëqyrin ato gjatë gjithë kohës. Në këtë fazë, Volkswagen pret që “deri në vitin 2026” në Austin të lansojë vetura komerciale me drejtim autonom për publikun, raporton Arena EV, transmeton Telegrafi.
Në të ardhmen, kompania dëshiron të ofrojë automjete ID. Buzz të cilat do të kenë projektim të posaçëm me aftësi drejtimi autonom si “një shërbim gjithëpërfshirës që përfshin menaxhimin e flotës dhe zgjidhjet e udhëzimit në distancë për kompanitë e tjera lider në hapësirën e lëvizshmërisë dhe transportit, dhe të krijojë partneritete afatgjata”, thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp.
Presidenti i bordit dhe njëkohësisht edhe drejtori ekzekutiv i Volkswagen Group në SHBA, Pablo Di Si tha: “Jemi të emocionuar pasi kemi sjellë veturat tona ID. Buzz në SHBA. Zgjerimi i programit global të drejtimit autonom edhe në SHBA nga Volkswagen Group shënon një arritje të madhe për ne”.
“Në të ardhmen, ne do të fokusohemi në rritjen e kërkesës së shërbimeve të reja të lëvizshmërisë, dhe me veturën tonë ikonë ID. Buzz, ne do të ofrojmë një produkt me të vërtetë magjepsës për të mbështetur shërbimet e transportit tek të cilat konsumatorët amerikanë mund të mbështeten dhe të kenë besim”, shtoi ai ndër të tjera.