Përfaqësuesja e Rumanisë ka shënuar fitoren e saj të dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Volejbollit EuroVolley 2026 për femra, duke e mposhtur Kosovën me rezultat të pastër 3:0 (25-12, 25-20, 25-16), në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Pas humbjes së ngushtë ndaj Kroacisë, Rumania u rikthye me vendosmëri në këtë ndeshje dhe që nga fillimi e mori kontrollin me shërbime të sakta dhe sulme të fuqishme, duke fituar bindshëm setin e parë 25-12.
Kosova reagoi me më shumë qëndrueshmëri në setin e dytë, duke u mbështetur në përkrahjen e publikut dhe duke përmirësuar lojën në mbrojtje.
Pavarësisht luftës së treguar, vajzat dardane nuk arritën të përmbysin epërsinë e kundërshtarit, dhe seti përfundoi 25-20 për Rumaninë.
Seti i tretë ishte në të njëjtën linjë, me Rumaninë që ruajti qetësinë dhe efikasitetin në lojë, për ta mbyllur ndeshjen me rezultatin përfundimtar 25-16.
Kjo është fitorja e dytë për Rumaninë në tri ndeshje, duke e pozicionuar atë në vendin e dytë në Grupin G, pas Kroacisë lidere dhe ende e pamposhtur.