Vodhi dy akumulatorë para nëntë vjetësh, dënohet me kusht - Gazeta Express
string(55) "vodhi-dy-akumulatore-para-nente-vitesh-denohet-me-kusht"

Gazeta Express

03/12/2019 14:47

Vodhi dy akumulatorë para nëntë vjetësh, dënohet me kusht

Gazeta Express

03/12/2019 14:47

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Patriot Bajrami.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim, nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej një viti.

Lexo Edhe:

I akuzuari Bajrami është liruar nga shpenzimet procedurale, pasi është përfitues i asistencës sociale.

Gjykatësi Ajvazi bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, i akuzuari Bajrami e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Arbëresha Shala, me arsyetimin se është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe se gjente mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 mars 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Patriot Bajrami për veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragrafi 1, pika 1, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Ai akuzohet se gjatë mesnatës së 26 dhe 27 shtatorit 2010, afër urës në fshatin Milloshevë, rruga lidhëse për Podujevë, i akuzuari Bajrami në bashkëkryerje me të miturin A.B, me qëllim që tjetrit t’i marrin pasurinë e luajtshme në mënyrë të kundërligjshme, duke thyer me forcë hapësirën e mbyllur të kamionit të tipit “Renault”, pronë e firmës “Prevallaku”, që kanë qenë duke kryer punimet në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, dhe i ndalur në rrugë e me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme kanë hequr me forcë kapakun e kamionit përmes mekanizmit që shërben për hapje, kanë hequr kabllot që ishin të lidhura me akumulatorë dhe kanë marrë dy akumulatorë me qëllim që t’i shesin, por në momentin kur kanë pa se një veturë e Policisë së Kosovës ka ndaluar në fshatin Raskovë, akumulatorët i kanë lëshuar në tokë dhe janë arratisur. /BetimipërDrejtësi