Vlorë, sekuestrohen rreth 780 bimë kanabis në apartamente të përshtatura për kultivim me llamba - Gazeta Express
string(94) "vlore-sekuestrohen-rreth-780-bime-kanabis-ne-apartamente-te-pershtatura-per-kultivim-me-llamba"

Shqiperi

Gazeta Express

19/02/2025 18:45

Vlorë, sekuestrohen rreth 780 bimë kanabis në apartamente të përshtatura për kultivim me llamba

Shqiperi

Gazeta Express

19/02/2025 18:45

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Eldion Çela informoi sot mbi finalizimin e dy operacioneve policore për kapjen e personave me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, si dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Gjatë një konference për shtyp, Çela tha se në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, u bë e mundur që në lagjen “Pavarësia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.

“Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak”, bëri të ditur Çela.

Drejtori i DVP Vlorë bëri të ditur se në momentin që pa shërbimet e Policisë, shtetasi E. S. tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij. Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.

Po gjatë ditës së sotme, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u finalizua operacioni i dytë policor i koduar “Indoor”. Në kuadër të këtij operacioni në lagjen “24 Maji” në Vlorë, në katin e parë të një objekti trekatësh u zbuluan dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike.

“Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatura për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm. Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura”, u shpreh Çela.

Po gjatë operacionit, në këtë ambient u gjet dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 24 vjeç, lindur në “Përlat”, Mirditë, dhe banues në Lezhë, i cili kujdesej për bimët e kultivuara.

Çela theksoi se në vijim të veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi I. K., 24 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira, ndërsa Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në vijim të kontrollit të ushtruar në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga shtetasi E. L., 35 vjeç banues në Vlorë, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, ndërsa arrestuan në flagrancë poseduesin e lëndës narkotike.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Çela vlerësoi se këto operacione janë një tjetër dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të Policisë së Vlorës në luftën kundër elementëve kriminalë dhe në krijimin e një ambienti më të sigurt për qytetarët.

Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë, Çela u shpreh se “informacionet e sakta dhe të shpejta nga komuniteti dhe media janë një faktor kyç në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme”.

 

Advertisement
Advertisement
Advertisement