Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili tha se në takimin me përfaqësuesin e palës serbe, Petar Petkoviq të mërkurën janë marrë vesh që të hapen të gjitha arkivat.
Çitaku e ka pyetur Bislimin në Facebook nëse e ka fjalën për arkivat e Serbisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas saj, arkivat për të cilën foli Bislimi tashmë janë në Hagë, shkruan Express.
“Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!!”, shkroi Çitaku.
Ajo tha se ky dakordim mes Kosovës dhe Serbisë është grackë e rrezikshme me pasoja të frikshme.
“Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, ka shkruar Vlora Çitaku.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot në një konferencë për media ka folur për takimet dy ditore që ka pasur në Bruksel me palën serbe dhe Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Bislimi tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore. Ai tha poashtu që ndërprerja e marrëveshjes për targat që ka pasur afat skandence është interpretuar nga Bashkimi Evropian si shkelje nga ana e palës kosovare.
“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha ai.