Në një intervistë për Vijesti.ba, politikani dhe juristi i njohur nga Kosova, Azem Vllasi, nga Shtetet e Bashkuara ku po qëndron aktualisht, thekson se Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje, veçanërisht ndaj Kosovës, duke përdorur si mjete diplomacinë, propagandën dhe ndikimin rus.
“Serbia ende ëndërron ta kthejë Kosovën si pjesë të saj ‘në mënyrë paqësore’. Por janë vetëm ëndrra boshe. Kosova është shtet i pavarur dhe i mbrojtur nga NATO,” tha Vlasi.
Vllasi e quan konceptin e “srpski svet” një version të përditësuar të projektit të “Serbisë së Madhe”, që ka dështuar ushtarakisht në vitet ’90, por që tani po tentohet të realizohet përmes rrugëve politike dhe propagandistike.
“Serbia ka ndërruar vetëm metodat, jo qëllimin. Tani, nën udhëheqjen e Vuçiqit, përpiqet ta realizojë këtë përmes mjeteve të buta, ashtu siç e sugjeronte Dobrica Cosiq pas humbjeve të luftës.”
Ai shton se ky projekt nuk është vetëm kërcënim për Kosovën, por për të gjithë rajonin, përfshirë Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas tij janë objektiva të “Botws serbe”.
Duke komentuar paradën ushtarake të Serbisë në Beograd, Vllasi thotë se ishte një shfaqje force për të frikësuar fqinjët dhe për të kontrolluar qytetarët e vet të pakënaqur.
“Vuçiqi e di që askush nuk e kërcënon Serbinë – është e rrethuar nga vendet e NATO-s. Por parada kishte për qëllim të tregojë se ai kontrollon ushtrinë dhe policinë, pra ka në dorë shtetin dhe pushtetin.”
Sipas Vllasit, Rusia është aktori kryesor destabilizues në rajon, duke përdorur Serbinë dhe “bota serbe” si mjet për të zvogëluar ndikimin e BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
“Qëllimi i Moskës është i qartë: të mbajë rajonin larg Perëndimit dhe në kaos të vazhdueshëm.”
Vllasi bën thirrje që Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të integrohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian, për të neutralizuar ndikimin rus dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë në rajon.
“BE duhet të veprojë me shpejtësi. Bosnja duhet të anëtarësohet me përjashtim nga rregullat, siç ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë. Në të kundërtën, rajoni mbetet i pambrojtur nga ndërhyrjet e jashtme.”
Vllasi është i qartë: Kosova nuk do të kthehet kurrë në Serbi.
“Kosova është shtet i pavarur dhe funksional. Edhe pse Serbia vazhdon të thotë se është pjesë e saj, askush në Beograd nuk e beson më këtë me të vërtetë. Ata e dinë që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe as nuk do të jetë ndonjëherë.”
Sipas tij, një marrëveshje formale për njohje reciproke nuk është afër, por normalizimi de facto është realitet i pranuar ndërkombëtarisht, përveç nga Serbia dhe Rusia.