Vlerat universale të Qëndresës së Jasharëve: Çfarë kemi mësuar nga qëndresa heroike e familjes Jashari? - Gazeta Express
string(101) "vlerat-universale-te-qendreses-se-jashareve-cfare-kemi-mesuar-nga-qendresa-heroike-e-familjes-jashari"

Vlerat universale të Qëndresës së Jasharëve: Çfarë kemi mësuar nga qëndresa heroike e familjes Jashari?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/04/2021 14:48

Shkruan: Bardh Bokshi

Në këtë shkrim jam përpjekur t’i shpalos vlerat universale të Qëndresës së Jasharëve duke vënë theksin jo vetëm në trimërinë e qëndresën heroike të familjes Jashari, por edhe në qëndresën e tyre që shkon përtej trimërisë e atdhedashurisë, e cila tejkalon konfliktin serbo-shqiptar dhe ndërlidhet me ngadhënjimin e optimizmit ndaj cinizmit, e besimit ndaj skepticizmit, e lirisë ndaj vdekjes dhe  pragmatizmit ndaj iluzionit vetëmashtrues. Ky shkrim kufizohet dhe trajton vetëm qëndresën e Jasharëve dhe mësimet që mund t’i nxjerrim nga ajo qëndresë në përditshmërinë tonë, dhe në asnjë mënyrë nuk ka për qëllim që ta përkrahë, favorizojë ose të sulmojë ndonjë tabor politik në vend të tjetrit.  Në fund, kam konkulduar se nga Qëndresa e Jasharëve merret mësimi se optimizmi ngadhënjen ndaj cinizmit e skepticizmit dhe situatave të pashpresa dhe se në jetët tona individuale duhet ta kultivojmë virtytin e veprimit dhe jo vetëm të mësimit pasiv që nuk çon në veprim. 

“Asgjë nuk mund t’i rezistojë vullnetit njerëzor që është në gjendje ta rrezikojë edhe qenien e vet për qëllimin e deklaruar”

Benjamin Disraeli, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (1804-1881)

Psikologu amerikan Philip G. Zimbardo për rëndësinë dhe rolin e heroizmit në një shoqëri ishte shprehur “[…] ne kemi argumentuar se shoqëritë duhet ta ushqejnë një ‘imagjinatë heroike’ tek qytetarët e tyre si një kundërhelm ndaj të keqes”. Si shembull të individit me imagjinatë heroike, Zimbardo kishte përmendur Martin Luther King Jr me deklaratën e tij tanimë të njohur botërisht “Unë kam një ëndërr” (I have a dream) që në thelb të saj riimagjinonte jetën pa kufizimet e aparteidit, se ai e kishte kuptuar që njerëzit e shumtë që kishin dëgjuar fjalimin e tij kishin humbur aftësinë për ta imagjinuar një botë më të mirë, ose për të besuar se pranimi i veprimeve të tyre të rrezikshme kishte fuqinë për të promovuar ndryshimet.

Qëndresa heroike e familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars 1998 është tregues se ajo familje nuk kishte humbur aftësinë për ta imagjinuar Kosovën të lirë dhe se ka besuar se me flijim të jetës ka fuqinë për ta promovuar lirinë e Kosovës, çka në fund, rezultoi i suksesshëm se Kosova u çlirua. Është e vërtetë e pamohueshme se intervenimi ajror i NATO-s ka qenë vendimtar në çlirimin e Kosovës, mirëpo, ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi. Jasharët, siç thotë një postulat biblik, e patën guximin që të “ecin me besim dhe jo me shikim”, pra, ata besuan në kauzën e tyre dhe ndërmorën veprime konkrete për ta bërë atë kauzë realitet në besim, pa garanci për sukses. Poeti dhe filozofi i njohur amerikan Ralph Waldo Emerson kishte thënë “kryeje punën dhe do ta kesh fuqinë(do the thing and you will have the power) që rezulton si thënie shumë e saktë për qëndresën e Jasharëve se pas rënies heroike të tyre shqiptarët në Kosovë, por edhe jashtë saj, u mobilizuan ushtarakisht e politikisht – ashtu si ditën e si mundën në rrethanat e kohës – e po ashtu në fund intervenoi edhe NATO. Vërtetë Jasharët e kryen punën dhe e patën fuqinë në anën e tyre.

Beteja e Jasharëve shkon përtej trimërisë dhe ndërlidhet edhe me optimizmin. Ajo shkon përtej konfliktit serbo-shqiptar dhe ndërlidhet me shpirtin e paepur njerëzor, dëshirën dhe vullnetin e pathyeshëm për liri. Them se beteja e Jasharëve ndërlidhet me optimizmin se në videoregjistrimet e tyre mund të vërehet edhe optimizmi dhe bindja e tyre e thellë në fitoren përfundimtare ndaj Serbisë. Më ka bërë përshtypje komenti i Hamzës kur thotë; “…këtu ka qenë turku, gjermani, Austro-Hungaria, Serbia e vjetër, e në fund krejt kanë shku…edhe ky do të shkoj derisa të bjen në taksirat.” Ky koment, kjo bindje e Hamëz Jasharit, përveç trimërisë dhe shumë virtyteve të tjera, flet edhe për optimizmin e tij dhe të familjes së tij për fitoren përfundimtare kundër një armiku pa diskutim më të fortë dhe jo vetëm në aspektin ushtarak. Ky optimizëm i Jasharëve gjithmonë më ka mahnitur se në kushtet që janë gjendur shqiptarët e Kosovës gjatë okupimit serb të viteve të 90-ta kanë qenë kushte të një situate të pashpresë ku nuk kishte shumë vend për optimizëm për një të ardhme më të mirë. Optimizmi i Jasharëve për ngadhënjim historik ndaj Serbisë vërtet është mbresëlënës, prandaj, them gjithmonë në kontekst të asaj kohe, se nuk ka mjaftuar thjeshtë ta kesh guximin dhe trimërinë të përballesh me një armik padiskutueshëm më të fuqishëm. Mund të jesh edhe trim dhe të përballesh me një armik më të fuqishëm se ti, mirëpo kur e di se humbja është e sigurt, është e vështirë të mos shkurajohesh. Në luftën për liri nuk ka mjaftuar vetëm trimëria dhe atdhedashuria, por edhe optimizmi në fitoren supreme. Pa asnjë mëdyshje Jasharëve nuk u ka munguar ky lloj optimizmi. Nga vjen dhe si shpjegohet optimizmi i tillë, kjo është e vështirë të shpjegohet, mirëpo, them se optimizmi i Jasharëve buron nga shpirti i tyre liridashës. Pikërisht pra, ky është dimensioni i betejës së Jasharëve që nuk mund të shpjegohet vetëm me veprime logjike të mendjes njerëzore. Ata, Jasharët, kishin aftësinë për të vepruar me “besim dhe jo me shikim” në situatat ku nuk mund të parashikonin nëse veprimet e tyre do të rezultojnë të dëmshme ose të dobishme për ata, por edhe për popullin e Kosovës në tërësi.

Karakteri dhe natyra luftarake e Jasharëve, shpirti i tyre prej luftëtari nuk mund të kuptohet e të shpjegohet lehtë. Kam dëgjuar kritika pse nuk janë larguar fëmijët, gratë e të moshuarit në mënyrë që të shmanget vrasja e 60 anëtarëve të familjes. Deri diku edhe e kuptoj atë kritikë ndaj Jasharëve, mirëpo, është po ashtu jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptohet se Ademi, Hamza e Shabani (babai i Ademit e Hamzës), familja Jashari në përgjithësi, nuk kanë pasur mendësinë e njeriut të rëndomtë. A thua çka do të ndodhë nëse ma vrasin babën, nanën apo të birin? Po ta kishin Jasharët atë mendësi atëherë nuk do të ekzistonte as qëndresa  e tyre. Në të kundërtën, ata e kishin mendësinë e luftëtarit që nuk toleron dhe nuk lë vend për pasojat, por e dëshiron vetëm fitoren supreme  – LIRINË!!! Me të drejtë Nietzsche kishte thënë “pulat kurrë nuk mund t’i kuptojnë luanët”, e Jasharët kanë qenë luanë. Prandaj, flijimin sublim të 60 anëtarëve të familjes Jashari, burrave, grave, pleqve e fëmijëve duhet kuptuar pikërisht nga vetë perspektiva e Jasharëve dhe jo nga perspektiva e njeriut të rëndomtë. Ralph Waldo Emerson në esenë e tij për heroizmin, në mes tjerash, ishte shprehur se “heroizmi nuk mund të jetë i zakonshëm dhe as e zakonshmja nuk mund të jetë heroike”. Po ashtu fjalori i Websterit i vitit 1913 për heroizmin kishte dhënë këtë përkufizim: “Heroizmi…është përbuzje ndaj rrezikut, jo nga padituria ose mospërfillje nga mendjelehtësia, por nga përkushtimi fisnik për një çështje madhore, dhe me besimin e duhur për t’u përballur me rrezikun në frymën e asaj çështjeje.” Nëse Jasharët janë keqkuptuar nga individë të caktuar ose nga shtresa të caktuara të shoqërisë kosovare, nuk është tregues se Jasharët kanë vepruar gabimisht kur janë flijuar për atdhe, në të kundërtën, flet për madhështinë e tyre. Ralph Waldo Emerson në esenë e tij monumentale “Mbështetja në vetvete” (Self-Reliance) ishte shprehur: “Vërtetë është aq keq të jesh i keqkuptuar? Pitagora ishte keqkuptuar, edhe Sokrati, edhe Jesusi, edhe Luteri, edhe Koperniku, edhe Galileo, edhe Newtoni si dhe çdo shpirt i çiltër dhe i urtë që ka marrë trajtë njeriu. Të jesh i madh është të jesh i keqkuptuar.” Këtu vetëm desha të vë në pah se keqkuptimi është pjesë e madhështisë së veprës së Jasharëve – dhe çka është me rëndësi po ashtu të kuptohet – është se individët dhe shtresat e caktuara të shoqërisë kosovare që i kanë keqkuptuar Jasharët, nuk do të thotë se nuk i respektojnë ata dhe se keqkuptimi nuk duhet të ngatërrohet me mos respekt.  

Në videoregjistrimet e Jasharëve që kam parë dua të vë në spikamë disa fjalë të Ademit e Hamzës “Në këtë jetë nuk ka tjetër veçse një fjalë e mirë dhe me dhanë jetën për atdhe në grykë të pushkës” apo “edhe sikur Evropa t’i hap dyert për ne, ne nuk do ta lëshojmë kurrë vendin e të parëve tanë, këtu do ta bëjmë vdekjen! Skemi ku të shkojmë, do t’i përgjigjemi armikut me atë çka kemi ashtu si mundemi”. Këto fjalë të Ademit e të Hamzës janë shumë domethënëse për karakterin e tyre burrërorë. Ata vërtetë e zhvilluan një luftë të drejtë, e kryen obligim kombëtar që i kishin vënë vetes dhe e ruajtën besimin në liri.

Jasharët me intuitën e tyre prej luftëtari e kishin kuptuar mjaft mirë se liria kërkonte luftë, kërkonte që armikut t’ia kthesh zjarrin me zjarr. Siç thoshte Osman Geci (daja i Ademit e Hamzës)  “Liria me demokraci nuk vjen”. Përvoja jetësore dhe intuita e Osman Gecit kishte gjetur diagnozën e saktë për situatën e Kosovës të viteve të 90-ta, dhe diagnoza ishte se liria vjen me luftë, me mund, sakrificë, vetëmohim e mbi të gjitha vetëdije se bota e qytetëruar mund të ndihmojë vetëm atëherë kur shqiptarët tregojnë vendosmëri të palëkundur për liri. Se armikut duhet t’i përgjigjesh me zjarr, e kishte shprehur me shumë elokuencë i madhi Gjergj Fishta që në veprën e tij monumentale “Lahuta e Malsisë” i ishte drejtuar Zanës – figurës mitologjike shqiptare – me këto fjalë “Hik moj zanë mos rri tuj namë, se kjo nama ish arma e të ligut, e si bate gja anmikut, veç e bate atë me qeshë, në mos me qeshë po me u zgërdhesh”. Jasharët kishin vendosur që të mos e nëmin armikun por t’ia kthenin pushkën.

Kam përshtypjen se ne shqiptarët e Kosovës kemi mbivlerësuar shkollimin formal duke besuar se sa më shumë akademikë, studentë e nxënës të prodhojmë atëherë vetëm e vetëm me këtë atribut, pra, të shkollimit formal, do të arrijmë deri te liria e shumë kërkuar e që dukej e paarritshme. Nuk do mend se shkollimi formal e ka vendin e vet, mirëpo, vërtet duhet ta ketë vendin e vet dhe jo të mendohet se mjafton që pjesa më e madhe e shoqërisë të ketë shkollim formal e pastaj disi si në mënyrë magjike liria do të shpaloset nga askundi VOILA! Sigurisht se shkollimi formal ia siguron një shoqërie shkencëtarët për shembull për të shpikur një sistem armatimi të avancuar për t’u mbrojtur nga armiku, politikanët e diplomatët për të qeverisur e për të vënë e konsoliduar marrëdhënie të dobishme me aleatë të fuqishëm e kështu me radhë. Mirëpo, kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër është se të nevojiten njerëz me virtyte, me mendësi luftëtari e të gatshëm për flijim për të arritur deri te qëllimi suprem – liria. Nuk ka nevojë të jesh njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare që të konstatosh se raporti i forcave në terren përcakton në masë të madhe edhe pozitën e fuqinë negociuse të palëve në tryezën e negociatave politike e diplomatike. Jasharët me qëndresën e tyre vërtetë shpalosën qasjen e cunguar të klasës politike të shqiptarëve të Kosovës të viteve të 90-ta se pas rënies heroike të tyre, UÇK-ja u shtua në numër e popullaritet, çka në të vërtetë, ua mundësoi politikanëve e diplomatëve që të zbatojnë një diplomaci më efektive në rrafshin ndërkombëtarë me rezultate të dukshme e të ndjeshme, siç janë konferenca e Rambujesë dhe intervenimi ajror i NATO-s. Deri sa nuk doli në skenë UÇK-ja, diplomacia e shqiptarëve të Kosovës – me gjithë respektin për orvatjet e mundin e tyre – rezultoi të jetë sterile se në realitet nuk shihej ndonjë efekt. Madje thuhet se Millosheviqi në tallje kishte thënë se ka më shumë telashe në Beograd se sa në Kosovë. Jo rastësisht fuqitë e mëdha e sidomos SHBA-ja krahas investimit në shkencë e ndoshta edhe më shumë investon në ushtrinë e saj se e kupton se në disa situata diplomacia duhet të mbështetet me “muskuj” për të qenë efektive. Filozofi i njohur francez Jean Jacques Rousseau në veprën e tij “Diskursi mbi artet dhe shkencat” duke vrojtuar efektet e arteve dhe shkencave në shoqëri kishte tërhequr vëmendjen për efektin korruptiv të arteve dhe shkencave në rast se ato rezultojnë të padobishme, pra, nëse nuk avancojnë moralin e një shoqërie duke u shprehur, në mes të tjerash, si vijon: “Nëse shkencat përmirësojnë moralin tonë, nëse ato na mësojnë që t’i japim jetët tona për të mirën e vendit tonë, atëherë, kinezët do të duhej të ishin të urtë, të lirë dhe të pathyeshëm. Por, nëse nuk ka ndonjë cen që ata e praktikojnë, nuk ka krim që ata nuk e njohin; nëse zgjuarsia e ministrave të tyre, urtia e supozuar e ligjeve të tyre, dhe moria e banorëve që popullojnë atë perandori të pafund, ka dështuar që t’i mbrojë ata nga zgjedha e tartarëve të vrazhdë e të paditur, çfarë ishte dobia e burrave të shkencës dhe letërsisë së tyre? Çfarë dobie ka korrë ai vend nga nderimet e akorduara për dijetarët e tyre? A thua vallë, mund të jetë dobi e të qenit të populluar me një racë faqezinjsh e skllevërish?”  Duhet pasur parasysh se Rousseau kishte këshilluar se një shoqëri krahas zhvillimit të shkencave dhe arteve po ashtu duhet t’i zhvillojë virtytet siç janë trimëria e gatishmëria për ta dhënë jetën për atdhe, se anëtarët e një shoqërie nuk duhet të mësohen vetëm si të bëhen të ditur por po ashtu të mësohen se si të veprojnë.   

Nuk mund ta anashkalojë e të mos flas pak edhe për pamjen e Ademit, Hamzës dhe Shabanit, sidomos në fotot dhe videoregjistrimeve ku ata shfaqen të armatosur, më vijnë në mendje përshkrimet që Gjergj Fishta ua atribuonte protagonistëve të Lahutës së Malësisë, ku në një rast ishte shprehur “Vesh e mbath e me armë shtrëngue, kishe thanë ka le drangue.

Në çdo veprim e fjalë të Ademit, Hamzës e Shabanit – që kam pasur mundësi t’i shikoj e dëgjoj përmes videoregjistrimeve – kam vërejtur një vendosmëri që pothuajse e tejkalon të kuptuarit njerëzor që nuk e kisha hasur më parë. Më vjen ndërmend fjalët e Shabanit – në mos gabohem duke folur për rezistencën me armë kundër forcave serbe që ishin larguar me bisht nën këmbë nga kulla e Jasharëve – që thoshte “Nuk e di se  a do të kthehen, nuk e di, veç e kemi ndërmend me luftu deri sa të vdesim”. Këto fjalë të Shabanit të lënë të kuptojnë se Jasharët e kishin shumë të qartë se i kishin shpallur luftë një armiku jo vetëm të fuqishëm politikisht e ushtarakisht, por që ishte një armik aq brutal sa vriste pa dallim fëmijë, gra, pleq e burra. Forcat serbe disa herë e kishin sulmuar kullën e Jasharëve, por ishin larguar me bisht nën këmbë nga rezistenca e fortë dhe e drejtë. Por, Jasharët ishin të vetëdijshëm se herët a vonë, armiku do t’i rrethonte e do t’i sulmonte me tërë artilerinë e tij, çka edhe ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars 1998, që sot njihet si Epopeja e UÇK-së. Jasharët edhe pse u vranë fizikisht, ata, megjithatë, dolën ngadhënjimtar. Ngadhënjimi i Jasharëve nuk ishte shprehur vetëm në formën e sensibilizimit të botës së qytetëruar për vuajtjet e shqiptarëve nën zgjedhën serbe, por ishte ngadhënjim i optimizmit ndaj cinizmit, ishte ngadhënjim i vendosmërisë ndaj skepticizmit, ishte ngadhënjim i lirisë ndaj vdekjes dhe ishte vetëdijesim i shqiptarëve, thirrje për t’u zgjuar nga gjumi për të dhënë gjithçka nga vetvetja deri në arritje të qëllimit suprem – LIRISË!!!

Burrështetasi i madh britanik Benjamin Disraeli njëherë kishte thënë: “Asgjë nuk mund t’i rezistojë vullnetit njerëzor që është në gjendje ta rrezikojë edhe qenien e vet për qëllimin e deklaruar.” Nuk e di se në çfarë konteksti Disraeli e kishte shprehur thënien e tij të famshme, porse definitivisht është e aplikueshme për Qëndresën e Jasharëve, se ata vërtetë e rrezikuan qenien e tyre, dhe asgjë, as Serbia, as lufta e pabarabartë, as frika nga vdekja nuk i rezistoi dot qëllimit të tyre të deklaruar LIRISË! Kjo pra, është vlera universale e Qëndresës së Jasharëve me të cilën mund të identifikohen jo vetëm shqiptarët por edhe të tjerët. Këto vlera universale i kishte shprehur në mënyrë direkte edhe z. Bernard Kouchner që atëbotë ishte administrator i Kosovës që tashmë është i njohur për thënien e tij sa të famshme aq edhe njerëzore “nëse do të kishte çmim Nobël për liri, atëherë, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari”. Ky pra, është dimensioni i Qëndresës së Jasharëve që tejkalon konfliktin serbo-shqiptar, është dimension i Çmimit Nobël, është dimension i shpirtit të paepur njerëzor që rrezikon edhe qenien e vet për qëllimin e deklaruar, që lë mbresa të thella të pashlyeshme e frymëzuese te të gjithë individët objektivë pavarësisht etnisë së tyre, se flijimi për çështje më të mëdha se vetvetja, të bukura që i japin kuptim jetës së njeriut janë vlera universale që i përqafojnë të gjithë individët e popujt liridashës. Qëndresa e Jasharëve prodhon vlera universale me të cilat mund të identifikohen popujt e botës së qytetëruar, të lirisë individuale e të lirisë së shprehjes, dhe në këtë kuptim Jasharët i takojnë kësaj bote, porse nuk duhet harruar se ata kanë dalë nga gjiri dhe vuajtjet e kombit shqiptar. Tek Jasharët vërej edhe një lloj determinizmi historik, jo rastësisht ata vijnë nga Drenica një trevë që gjithmonë ka dhënë kushtrimin për atdhe kundër armikut. Pastaj, Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955 çka është simbolikë jashtëzakonisht e fuqishme që me siguri ka ndikuar në psikologjinë e tij prej luftëtari të paepur. Sigurisht se Jasharët kanë lindur me karakter dhe temperament të paracaktuar nga gjenetika e tyre por po ashtu edhe faktorët e jashtëm siç janë edukimi në frymën e atdhedashurisë, frymëzimi nga jeta dhe veprat rilindasve shqiptarë me siguri janë faktorë që kanë ndikuar për t’i bërë Jasharët, ata që janë, luftëtarë të paepur të lirisë.

Aristoteli në veprën e tij Etika kishte folur edhe për trimërinë dhe llojet e saj. Në atë vepër, Aristoteli, në mes të tjerash, ishte shprehur se zakonisht ushtarët janë trima kur paraprakisht e dinë se janë më të numërtë, të organizuar dhe të armatosur se sa armiku, mirëpo, në çastin kur vërejnë se janë duke pësuar humbje “ia mbathin me të katërtat” nga fusha e betejës. Aristoteli ishte shprehur se ky lloj trimërie ishte i bazuar në informata. Aristoteli po ashtu kishte thënë se njerëzit që mbrojnë pragun e shtëpisë së tyre kundër ushtrisë pushtuese janë më trima se sa ushtarët e zakonshëm sepse luftojnë kundër ushtrisë pushtuese ani pse janë të vetëdijshëm se përballen me një armik më të numërtë, më të fuqishëm dhe më mirë të armatosur. Qëndresa e Jasharëve nuk bën të reduktohet vetëm në mbrojtje të pragut të shtëpisë sepse është e qartë se qëllimi i tyre i deklaruar ishte liria e Kosovës, dhe që, në të njëjtën kohë, po ashtu është e vërtetë që Jasharët kanë treguar llojin më të fisnikëruar të trimërisë sepse me vetëdije të plotë janë përballë me një armik dukshëm më të numërtë, më të fuqishëm në rrafshin ushtarak, politik e diplomatik.

Në verën e vitit 1940 Winston Churchill duke u bërë homazh pilotëve të fluturakeve britanike në luftën ajrore kundër fluturakeve të Gjermanisë naziste ishte shprehur: “Kurrë në historinë e konfliktit njerëzor nuk ka ngjarë që aq shumë vetë t’u kenë borxh aq pak vetëve”. Është e qartë se homazhi i Churchillit ishte përkujtues ndaj kombit britanik që të jetë mirënjohës për sakrificën e pilotëve britanikë. Ngjashmërish, shqiptarët kudo, por sidomos shqiptarët e Kosovës duhet të jenë falënderues për sakrificën e Jasharëve jo vetëm duke i kujtuar ata në përvjetorë, por duke punuar ashtu që Kosova të përparojë në çdo aspekt ekonomik, social e ushtarak, që të jetë vend i dëshirueshëm për të jetuar e jo për ta braktisur.

Në fund uroj që të nxjerrim mësim nga Qëndresa e Jasharëve që në jetët tona si individë dhe si shoqëri të lejojmë që optimizmi të ngadhënjejë ndaj skepticizmit e cinizmit edhe në situata në dukje të pashpresa, që të mësojmë të veprojmë “me besim dhe jo me shikim” pa garanci për sukses, që të vazhdojmë duke luftuar një luftë të drejtë duke i kryer obligimet tona duke e ruajtur besimin në çështje që e dimë që janë të mira e që na tejkalojnë ne si individë dhe që në fund si shoqëri të mësojmë jo vetëm për të mësuar por edhe për të vepruar.  


[1] Autori është ekspert në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.