Përkundër pritshmërive të qytetarëve dhe premtimeve publike për largimin e lojërave të fatit nga zonat e banuara, Propozim-ligji i ri për Lojërat e Fatit nuk sjell ndryshime të vërteta që do të mbronin të rinjtë dhe familjet shqiptare nga pasojat e rënda të kësaj industrie.
Premtohej një ligj që do të mbyllte kazinot dhe bastoret sportive pranë shkollave, xhamive dhe vendbanimeve. Çfarë ndodh realisht me këtë propozim? Asgjë e tillë nuk ndodh me vendosmëri.
Propozim-ligji nuk parashikon largimin nga zonat e banuara. Nuk ka detyrim të drejtpërdrejtë për të mbyllur lokalet ekzistuese brenda qyteteve apo fshatrave.
Ligji nuk ndalon aksesin online, përkundrazi, e ligjëron dhe formalizon bastvënien në internet përmes operuesve të licencuar. Rrjeti i internetit mbetet një kanal i pakontrolluar për bastvënie, me rrezik të lartë për të rinjtë.
Ligji krijon një Agjenci për Lojërat e Fatit, por pa garanci për pavarësi, mbikëqyrje reale apo kontroll shoqëror.
Ligji nuk parashikon një hartë zyrtare me zonat ku nuk lejohen lojërat e fatit, çka nënkupton interpretim dhe abuzim administrativ. Nuk parashikohen masa për të ndaluar ekspozimin e fëmijëve ndaj marketingut të lojërave të fatit, as për trajtimin e varësisë.
Aleanca për Shqiptarët konsideron se ky Propozim-ligj nuk është reformues, por është legjitimues për një sistem të dështuar që ka kontribuar në zhvlerësimin e lagjeve shqiptare, rritjen e varfërisë dhe shpërbërjen familjare, si dhe zhvillimin e një ekonomie kriminale dhe të paligjshme që fshihet pas “lojës”.
Aleanca për Shqiptarët kërkon mbylljen graduale por të pandalshme të kazinove dhe bastoreve brenda zonave të banuara në afat të shkurtër kohor. Ndalesë absolute për operim në rreze më të vogël se 1 km nga shkollat, institucionet fetare dhe spitalet. Regjistër publik i të gjitha lokacioneve të licencuara, me të drejtë ankese për komunitetin. Mbylljen e mundësive për bastvënie online pa kontroll të moshës, përmes sistemit elektronik të identifikimit. Ndalimin e çdo forme të reklamimit të lojërave të fatit në mediat dhe rrjetet sociale që targetojnë të rinjtë.
Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë këtë ligj në Kuvend dhe në çdo formë të veprimit institucional apo qytetar. Nuk mund të kemi një shoqëri të shëndetshme duke mbajtur kazinot përballë shkollave. Nuk ndërtohet një ekonomi mbi varësinë dhe shkatërrimin e jetës së njerëzve. Kërkojmë ligj që mbron njerëzit, jo një që i grabit ata ligjërisht.
tag_katrorimaqedoni_2