Koalicioni VLEN ka shpenzuar afërsisht 640 mijë euro për reklamim në media gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve ka përfunduar te televizionet, ndërsa për gjithsej 31 portale të internetit dhe gazeta janë ndarë rreth 157 mijë euro. Në listën e përfituesve të mjeteve financiare figurojnë persona të afërm me koalicionin VLEN, përfshirë edhe funksionarë. Para kanë përfituar gjithashtu portale pa impresum, si dhe media ndaj të cilave janë evidentuar praktika joprofesionale, shkruan Portalb.mk.
Nga Ardit Ramadani
Të dhënat janë marrë nga KShZ në janar të këtij viti, ndërsa shumat për media në infografika përfshijnë TVSH dhe janë llogaritur në euro sipas kursit 6.5. Kujtojmë që bëhet fjalë për para publike, përkatësisht të taksapaguesve.
Kjo është lista e top 10 televizioneve me përfitimet më të larta nga Koalicioni VLEN:

Krahasuar me televizonet, të cilat marrin shuma dukshëm më të mëdha dhe pa kufi ligjor, portalet e internetit përfitojnë financime më të vogla, por, në një spekter më të gjerë mediash.
Më poshtë janë renditur 15 portalet përfituese me vlerat më të larta:

Media partiake dhe media të bashkëpartiakëve
Portali Fol.mk, i lidhur me koordinatorin kombëtar për komunikim dhe media Latif Arifi, kuadër i Koalicionit VLEN, rezulton përfituesi i dytë më i madh ndër portalet e internetit, me rreth 11 mijë euro, vetëm 25 euro më pak se përfituesi i parë, që është portali Pa Censurë.

Dokumentet e siguruara tregojnë se deri në qershor 2025, pronar i kompanisë FOL MEDIA DOOEL ka qenë vetë Latif Arifi. Pas kësaj periudhe, pronësia i është transferuar djalit të tij, Ilir Arifi.

Emri i Latif Arifit figuron edhe në regjistrin zyrtar të MARNET për domenët “.mk”.
Sipas të dhënave, ai rezulton si pronar i domenit fol.mk, i vlefshëm deri në gusht 2026. Numri i kontaktit i regjistruar në MARNET përputhet me atë të koordinatorit për komunikim dhe media, Latif Arifi.

Para edhe për portalin e lidhur me zëvendësministrin e Bujqësisë, Albrim Hoxha dhe njeriun e afërm të kreut të Strugës, Mendi Qyrës, drejtorin e sapoemëruar në Ndërmarrjen Publike “Komunale” në Strugë, Resul Çollaku.
Kompania “Studio Rinora DOOEL” përmes portalit www.strugalajm.com ka arritur të përiftojë nga koalicioni VLEN 8 mijë euro. Pronar i kësaj kompanie është Resul Çollaku, një ndër njerëzit më të afërm të kreut të Strugës, Mendi Qyra, si dhe i sapo emëruar nga ky i fundit si drejtor në Ndërmarjen Publike “Komunale” në Strugë.
Portali strugalajm.com ishte pjesë e skemës së reklamimit politik edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Asokohe operonte nën kompaninë “Boulevard”, në pronësi të Albrim Hoxhës, sot zëvendës ministër i bujqësisë.
Lidhjet mes Albrim Hoxhës dhe kësaj kompanie janë të dukshme edhe në rrjetet sociale. Në disa fotografi të publikuara në Facebook, Hoxha shfaqet me veshje të brenduara të kompanisë gjatë aktiviteteve të saj.

Nuk është e qartë nëse Hoxha ka status pronësie në këtë kompani. Megjithatë, postimet publike në Facebook konfirmojnë se ai ka qenë pjesë e stafit para emërimit në funksion publik.

Përpos funksionarëve, mjete nga VLEN kanë përfituar edhe aktivistë. Portali alfax.mk, që ka inkasuar rreth 7 mijë euro, sipas MARNET.mk, domeini rezulton në pronësi të Erduan Dautit, i cili në fotografitë e publikuara online shfaqet kryesisht me funksionarë dhe aktivistë të Koalicionit VLEN dhe partisë Alternativa.

Zbrazëtirat ligjore nuk i kanë shfrytëzuar vetëm portalet. Edhe organizata futbollistike “Bratstvo-Vllaznimi Petrovec”, përmes portaleve alopress dhe noapress, ka inkasuar rreth 4.500 euro.
Lëmshi duket i qëllimshëm, por, a ka kush vendos rend?
Me pak fjalë, për portalet online nuk ka. Në Maqedoninë e Veriut ekziston Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele që është kompetente për të monitoruar reklamimin politik me pagesë, por vetëm të radiove dhe televizioneve.
Që kur shpallen zgjedhjet, deri në përfundimin e tyre kjo agjenci monitoron sjelljen e telezivioneve dhe radiove. Ata kryesisht ndjekin nëse transmetuesit i përmbahen limiteve për kohën shtesë të lejuar për reklamim politik të paguar, nëse transmetuesi kujdeset që dy herë radhazi të mos transmetojë reklamë për të njëjtën parti politike dhe ngjashëm.
Për shembull, gjatë zgjedhjeve lokale të 2025, ata kishin konstatuar që një televizion lokal kishte tejkaluar limitin e lejuar për reklamim politik me pagesë dhe kanë iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente.
Kështu, me pak fjalë, përpos që nuk ka asnjë kriter se cilat media të internetit mund të financohen nga paratë e shtetit përmes partive politike, ata s’ka as kush i kontrollon, as kush i ndëshkon për shkelje të rregullave, sepse në fakt, nuk ka fare rregulla. (Portalb.mk)
tag_katrorimaqedoni_2