Partia VLEN ka reaguar ashpër ndaj kritikave të fundit të BDI-së lidhur me punësimet e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Në një komunikatë për media, VLEN thekson se partitë e shpallura Non Grata nga faktori ndërkombëtar po përpiqen të mbulojnë dështimet e tyre gjatë mbi dy dekadave qeverisje.
“Opinioni e di shumë mirë se për 20 vjet, ata u kujdesën vetëm për rehatimin e familjarëve të tyre, në vende pune ku paga mujore është shumëfish më e lartë se ajo mesatare në vend,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Partia shton se, në vend që të japin llogari pse shqiptarët mbetën pa përfaqësim real dhe pa punë në pozita administrative, funksionarët e BDI-së zgjedhin të shpifin.
“Ata që dalin në konferenca për media, i porosisim të pyesin shefin e tyre, Bujar Osmani, pse po i gënjen ata! Le ta pyesin ku është e punësuar bashkëshortja e tij, e cila merr mbi 100 mijë denarë në muaj – sa katër administratorë të tjerë që BDI i ka gënjyer për dy dekada,” tha VLEN.
Reagimi gjithashtu përmend motrën e Osmani-t: “Shqiptarët e dinë mirë se në M-NAV, motra e tij merr mbi 3 mijë euro në muaj, sa gjashtë paga të një administratori tjetër.”
VLEN paralajmëron se ditëve në vijim do të publikojë të dhëna të detajuara mbi nepotizmin dhe punësimet e familjarëve të BDI-së gjatë 20 viteve, “por këtë herë me emra dhe mbiemra”.
Gjithashtu, partia njofton se do të iniciojë procedura ligjore për shpifje në rast se BDI nuk kërkon falje publike.
tag_katrorimaqedoni_2