Artan Grubi është “kutia e zezë e BDI-së” dhe jo një ish-funksionar i zakonshëm në arrest shtëpiak, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN, ku theksohet se ai “i di të gjitha hyrje-daljet e sistemit që BDI e ka ndërtuar për vite me radhë”.
Sipas VLEN-it, arresti shtëpiak i Grubit nuk përbën lehtësim, por sinjal se procesi ka hyrë në një fazë të re, ku – siç thuhet në kumtesë – “fjalët nuk vlejnë më, por faktet”. Nga ky subjekt politik pretendohet se institucionet kanë nisur të hetojnë mënyrën e funksionimit të pushtetit dhe rrjedhën e financave gjatë qeverisjes së kaluar.
Në reagim theksohet se brenda strukturave të Bashkimi Demokratik për Integrim ka “panik”, për shkak të rolit që Grubi ka pasur në vendimmarrje. “Ai ka qenë aty ku vendosej gjithçka, ku negocioheshin gjërat ‘nën tavolinë’ dhe ku ndaheshin interesat”, thuhet në deklaratë.
VLEN gjithashtu përmend selinë e partisë në Reçicë të Vogël, duke pretenduar se ekziston frikë nga zhvillimet e mundshme të mëtejshme, të cilat – sipas tyre – mund të prekin edhe figura të tjera të larta partiake, përfshirë liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Në përfundim të reagimit, VLEN thekson se “ky nuk është fundi, por fillimi i një procesi që mund të tronditë themelet e ndërtuara rreth Ali Ahmetit”.
tag_katrorimaqedoni_2