VLEN mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup hapi Shtabin Qendror të Koalicionit. Liderët e Koalicionit potencuan se ky moment shënon fillimin e një rrugëtimi drejt fitores së madhe në tetor. Theksuan se ky shtab do të jetë më shumë se një qendër organizative, do të jetë bërthama e energjisë politike, vendi ku lind ndryshimi, ku forcohet shpresa dhe ku ndërtohet e ardhmja, njofton Portalb.mk.
Bekim Qoku theksoi se ky shtab do të jetë “vendi i prodhimit të energjisë që do të shërbejë për fitoren e tetorit”, duke vënë në pah projektet konkrete të qeverisjes aktuale, si rruga Tetovë-Prizren dhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal me Shqipërinë dhe Kosovën.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se VLEN ka arritur për një vit më shumë se BDI për 22 vite.
“Ata le të na tregojnë vitin e tyre më të mirë për punësim, nuk e kalon dot atë që ne po bëjmë tani. Po mbyllim kazino, po hapim vende pune dhe po rregullojmë drejtësinë! Ata janë bërë bashkë për Soravinë, për llotarinë, por jo për qytetarin. Ne po bëjmë dallimin çdo ditë!”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se zgjedhjet e tetorit janë betejë për të ardhmen.
Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës potencoi se ky masivitet nuk është thjesht hapje shtabi, por vulosje e fitores. Ai kujtoi sukseset e komunës që drejton.
Zeqirija Ibrahimi kërkoi përkrahje që ndryshimi nga niveli qendror të bartet edhe në komuna.